Portugalia ka gjetur një mënyrë të veçantë për ta përjetësuar fanellën ikonike me numrin 7 të Cristiano Ronaldos, duke e ndryshuar përgjithmonë dizajnin e saj, por pa e tërhequr plotësisht këtë numër nga përdorimi.
Federata Portugeze e Futbollit ka njoftuar se numri 7, të cilin Ronaldo e mbajti për shumë vite me Përfaqësuesen, do të ketë një dizajn të ri, duke bërë që versioni i vjetër të mos përdoret më nga asnjë futbollist.
Vendimi vjen pas pensionimit të Ronaldos nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme 23-vjeçare me kombëtaren portugeze.
“Që nga ndeshja e sotme me Danimarkën, fanella me numrin 7 e Përfaqësueses, e cila i përkiste për shumë vite Cristiano Ronaldos, do të ketë një dizajn të ndryshëm grafik”, thuhet në njoftimin e federatës.
“Ky është një tjetër mënyrë për ta përjetësuar kuptimin e një numri kaq të veçantë dhe për të nderuar trashëgiminë që ai përfaqëson”, thuhet më tej.
Dizajni origjinal i fanellës do të ruhet si një kujtim i përhershëm i arritjeve të jashtëzakonshme të ish-yllit të Manchester Unitedit dhe Real Madridit.
Ky vendim i veçantë i lejon Portugalisë që njëkohësisht të respektojë rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat kërkojnë që ekipet kombëtare të përdorin numra të njëpasnjëshëm në garat madhore.
Ndryshe nga klubet, kombëtaret nuk mund t’i tërheqin plotësisht numrat nga përdorimi në të njëjtën mënyrë. Argjentina, për shembull, kishte hasur në vështirësi të ngjashme kur tentoi ta nderonte legjendën Diego Maradona duke tërhequr fanellën me numrin 10.
Ndërkohë, Carlos Forbs, ish-lojtari i Manchester Cityt, pritet të jetë futbollisti i parë që do ta veshë fanellën me numrin 7 në dizajnin e ri.
22-vjeçari do ta bëjë këtë në ndeshjen e së shtunës ndaj Danimarkës, në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet në Braga./Telegrafi/

