Si pasojë e temperaturave të ulëta dhe kushteve të motit, ngricat dhe bora janë prezente në shumicën e akseve rrugore në vend.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në të gjitha magjistralet që shpijnë drejt pikave të kalimit kufitar është evidentuar borë dhe akull, ndërsa mjegull dhe rrëshqitje dheu nuk janë raportuar.
Pavarësisht kushteve të vështira, të gjitha pikat kufitare mbesin të kalueshme.
Megjithatë, në disa segmente qarkullimi zhvillohet me vështirësi, ndërsa në aksin Pejë-Kullë qarkullimi lejohet vetëm për automjete të vogla.
Situata më e ndjeshme paraqitet edhe në magjistralen Prishtinë–Mutivodë, ku rruga është e kalueshme, por me vështirësi për shkak të ngricave.
Ndërkohë, parashikimi i motit për të dielën tregon se temperaturat do të mbesin në vlera negative.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra për sekondë.
Autoritetet u rekomandojnë ngasësve të mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe të përdorin pajisje dimërore, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë orëve të mëngjesit dhe të natës. /Telegrafi/