Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i është kundërpërgjigjur deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, pas reagimit të saj lidhur me gjuhën dhe sjelljen e tij gjatë seancës së Kuvendit.
Përmes një postimi, Zemaj ka thënë se kritikat dhe faktet që ai paraqet për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës nuk duhet të cilësohen si gjuhë fyese, transmeton lajmi.net.
“Faktet nuk janë gjuhë fyese, zonja Nagavci. Ato janë realiteti me të cilin po përballet shëndetësia në Kosovë, e cila është katandisur në gjendjen më të rëndë”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka përmendur mungesën e barnave dhe materialeve shpenzuese, zgjatjen e listave të pritjes, rritjen e vdekshmërisë së foshnjave dhe largimin e mjekëve e infermierëve jashtë vendit.
Zemaj ka drejtuar kritika edhe ndaj punës së Nagavcit gjatë kohës sa ajo ishte në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Ai ka përmendur rezultatet e Kosovës në testin PISA, si dhe disa raste që lidhen me tenderët, subvencionimin e librave shkollorë dhe gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ndër të tjera, deputeti i LDK-së ka përmendur aktakuzat lidhur me tenderët me çmime të larta, parregullsitë në subvencionimin e librave shkollorë dhe pagesat që, sipas tij, janë evidentuar në raportet e Auditorit.
Zemaj ka theksuar se këto çështje kërkojnë përgjegjësi politike dhe se nuk mund të shmangen përmes deklaratave publike.
Në fund të reagimit, ai ka thënë se njihet si njëri ndër deputetët më bashkëpunues në Kuvendin e Kosovës, por ka bërë përjashtim për ata ndaj të cilëve, sipas tij, ka dyshime se i kanë bërë keq vendit./lajmi.net/

