Brian Tracy, folësi motivues dhe autori i librave shumë të shitur, me origjinë kanadezo-amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Tracy, librat dhe seminaret e të cilit formësuan industrinë moderne të zhvillimit personal, raportohet se është ndarë nga jeta të enjten, më 12 nëntor.
“Focal Point Business Coaching”, kompani e bashkëthemeluar nga Tracy, njoftoi lajmin për vdekjen e tij përmes një deklarate të premten, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nipi i Tracy-t, Will Stein, konfirmoi gjithashtu ndarjen e tij nga jeta përmes një mesazhi prekës në Instagram, të premten.
Stein e përshkroi atë si “gjyshin më të mirë në botë” dhe si një nga njerëzit që besonte më shumë tek ai.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur publikisht.
I lindur më 5 janar 1944 në Charlottetown, Prince Edward Island (Kanada), Tracy ndërtoi një karrierë ndërkombëtare duke u bazuar në një parim të thjeshtë: suksesi i qëndrueshëm arrihet përmes veprimeve të qëllimshme, zakoneve të qëndrueshme dhe gatishmërisë për të vazhduar të mësuarit.
Në vitin 1984, ai themeloi “Brian Tracy International” në Vankuver, British Columbia.
Sipas kësaj organizate, ai u është drejtuar më shumë se pesë milionë njerëzve përmes mijëra seminareve dhe fjalimeve të mbajtura.
Si një autor tejet aktiv, Tracy shkroi mbi 80 libra, të cilët janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Goal!” dhe “Eat That Frog!” – një udhëzues se si të mposhtet zvarritja e detyrave dhe si t’u jepet përparësi punëve të rëndësishme.
Veçanërisht libri “Eat That Frog!” u bë një sukses global, duke u prezantuar miliona lexuesve metodën e tij “ABCDE” për përcaktimin e përparësive: kryerjen e detyrës më të rëndësishme dhe më të vështirë në fillim, në vend që të lejohet që zvarritja të bëhet pengesë për përparimin.
Pas lajmit për vdekjen e Tracy-t, kanë ardhur mesazhe nderimi nga e gjithë bota.
Julien Backhaus, botues i revistës gjermane “ERFOLG”, e përshkroi atë si “profesor të literaturës mbi suksesin”.
Backhaus, me të cilin Tracy kishte biseduar në vitin 2017, shkroi në një mesazh nderimi: “Brian Tracy konsiderohej si profesor i literaturës mbi suksesin. Ai u dha fuqi miliona njerëzve në mbarë botën për të arritur sukses të madh përmes hapave të vegjël. Librat e tij, ‘Eat That Frog!’ dhe ‘Goals!’, do të vazhdojnë të jetojnë edhe pas tij”. /Telegrafi/

