Boksieri Granit Shala nuk ka arritur ta mbrojë titullin IBF International kundër kroatit Petar Milas.
Milas që ishte favorit, arriti ta nokautojë boksierin shqiptar në raundin e 10-të.
Shala e nisi mjaftë mirë përballjen, ku mund të themi se edhe fitoi raundet e para, por kroati kishte më shumë energji dhe nisi të sulmojë kur e pa që 29-vjeçari filloi të lodhet.
Në raundin e fundit, Milas me një goditje të fortë më të djathtën arriti ta rrëzojë Shalën, i cili u ngrit pas shtatë sekondave. Pas kësaj, kroati vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme për ta nokautuar përfundimisht shqiptarin.
Kjo garë ishte për titullin IBF që u mbajt në Gjermani, ndërsa Shalës i mbetet të vazhdojë me stërvitje dhe të kthehet edhe më i fortë.
Kujtojmë, Milas është një boksier tepër i njohur pasi ka plot 20 fitore (16 me nokaut) dhe vetëm një humbje, ndërsa Shala tani regjistron humbjen e dytë, kurse ka 18 fitore./Telegrafi/