Kombëtarja e Argjentinës e ka nisur me humbje epokën pa Lionel Messin, duke u mposhtur 2-1 nga Uruguai në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “Bombonera”.
Kampionët e botës nuk arritën të bindnin në këtë përballje, ndërsa mungesa e yllit të tyre, Lionel Messi, u ndje dukshëm në lojën ofensive, shkruan Indeksonline.
Uruguai kaloi në epërsi pas një aksidenti në mbrojtjen argjentinase. Lisandro Martinez, në përpjekje për ta larguar topin, goditi pa dashje në fytyrë bashkëlojtarin Leonardo Balerdi, nga i cili topi përfundoi në rrjetë.
Mysafirët e dyfishuan epërsinë pas një goditjeje nga këndi, kur Maximiliano Araujo shënoi për rezultatin 2-0.
Argjentina u rikthye në lojë në minutën e 72-të, falë një aksioni individual të shkëlqyer të Gianluca Prestiannit, i cili depërtoi nga krahu i majtë dhe asistoi për Julian Alvarez.
Megjithatë, vendasit nuk arritën të gjenin golin e barazimit, duke e nisur kështu me zhgënjim këtë kapitull të ri pa Messin.
Kjo ishte ndeshja e parë e Argjentinës pas vazhdimit të kontratës së trajnerit Lionel Scaloni deri në vitin 2030. /IndeksOnline/

