Ndalimi kombëtar i fluturimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shfuqizuar pas afro pesë orësh, duke rikthyer gradualisht aktivitetin në aeroportet amerikane. Megjithatë, udhëtarët pritet të përballen me vonesa të shumta, për shkak të fluturimeve të akumuluara gjatë periudhës së ndërprerjes.
Për situatën kanë folur në një konferencë për media sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, dhe sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, të cilët kanë dhënë sqarime lidhur me arsyet e vendosjes së këtij kufizimi, transmeton lajmi.net.
Sipas zyrtarëve amerikanë, shkak për ndërprerjen u bënë të dhënat e pasakta dhe jokonsistente që transmetoheshin nga pajisjet e vjetruara të sistemit të kontrollit të trafikut ajror.
Sekretari Duffy kritikoi mungesën e investimeve në modernizimin e këtij sistemi, duke ia atribuar përgjegjësinë edhe mungesës së financimit nga Kongresi. Ai kërkoi një investim prej 50 miliardë dollarësh për krijimin e një infrastrukture të re dhe moderne të kontrollit ajror.
Nga ana tjetër, Markwayne Mullin bëri të ditur se nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik apo të ketë lidhje me problemet teknologjike të Microsoft-it një ditë më parë. Ai theksoi gjithashtu se gjatë gjithë incidentit nuk është vënë në rrezik jeta e njerëzve.
Ky incident shënon ndalimin e dytë kombëtar të fluturimeve në SHBA që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, por konsiderohet më i gjati i këtij lloji gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, përfaqësues të të dyja partive politike kanë kërkuar hetim të plotë për të përcaktuar përgjegjësit dhe për të zbardhur rrethanat e ndërprerjes së fluturimeve të premten në mbrëmje, me synimin që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen./lajmi.net/

