Një rishikim shkencor që përfshiu rreth 2.8 milionë persona ka gjetur se pirja e duhanit lidhet me rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës, sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës vaskulare. Rreziku rritet në varësi të numrit të cigareve të konsumuara në ditë.
Sipas studimit, të udhëhequr nga studiuesit e Universitetit Curtin në Australi dhe të publikuar në revistën shkencore “eClinicalMedicine”, duhanpirësit kanë 31 për qind më shumë rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.Rreziku është 40 për qind më i lartë për sëmundjen e Alzheimerit dhe 52 për qind për demencën vaskulare, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit vërejtën se rreziku rritet bashkë me numrin e cigareve të konsumuara. Personat që pinë 10 cigare në ditë kanë 16 për qind më shumë rrezik për demencë, ndërsa te ata që pinë 20 cigare në ditë, rreziku arrin në 34 për qind, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Autori kryesor i studimit, Mario Serfo, theksoi se këto gjetje nënvizojnë nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje ndikimit të duhanit në shëndetin e trurit, krahas dëmeve të njohura në zemër dhe mushkëri dhe rrezikut për kancer.
Lënia e duhanit mund të ulë rrezikun e demencës
Studimi zbuloi se personat që e kishin lënë duhanin nuk kishin rrezik më të lartë për demencë krahasuar me ata që nuk kishin pirë kurrë duhan.
Bashkautorja e studimit, Blossom Stephan, bëri thirrje që shëndeti i trurit të përfshihet në diskutimet për pasojat e duhanpirjes si dhe përfitimet shëndetësore nga ndërprerja e saj.
Studiuesit rekomanduan zgjerimin e fushatave kundër duhanit, përfshirjen e paralajmërimeve për dëmet që shkakton duhani në shëndetin e trurit në paketat e cigareve, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këto rreziqe në programet për lënien e duhanit.
Ata theksuan gjithashtu nevojën për studime të tjera për të përcaktuar nëse koha kur ndërpritet duhanpirja dhe kohëzgjatja e qëndrimit pa duhan ndikojnë në nivelin e rrezikut për demencë. /Gazeta Shneta

