Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, lidhur me furnizimin me energji elektrike, çmimin e rrymës dhe mundësinë e reduktimeve.
Rizvanolli tha se energjinë elektrike nuk e blen as ajo dhe as Qeveria, por KESCO dhe KEDS, kompani që sipas saj janë privatizuar nga qeverisjet e kaluara.
“Unë nuk blej rrymë, as Qeveria. Blen KESCO dhe KEDS, të cilën ju e keni privatizuar. E di që nuk po doni me e dëgjue dhe e di që nuk po doni me u kthye mbrapa, mirëpo meqë po doni me fol edhe për rregullsinë e furnizimit, edhe për cilësinë e rrjetit, edhe për kush blen rrymë, po ju tregoj kush blen rrymë edhe pse blen ata rrymë sot e ju KEK-u, me ç’rast kishit mund me më pyet në mënyrë indirekte. Sa i përket kësaj që, prapë sa i përket reduktimeve, unë nuk di që ka të lajmëruara reduktime. Sido që të jetë, në qoftë se keni ankesa, duhet t’i drejtoheni ZRRE-së, Zyrës për Ankesa për Konsumator, ndërsa Zyrën e Rregullatorit për Energji e mbikëqyrni ju si Kuvend, meqë po doni me më përkujtuar se ju jeni deputetë të Republikës së Kosovës. Për çfarë, unë kam respektin ndaj secilit prej jush për pozitën që e keni”, tha Rizvanolli.
Sa i përket muajve në vijim, ministrja Rizvanolli tha se nuk pritet të jenë të lehtë, por se institucionet do të bëjnë maksimumin për të siguruar furnizimin me energji elektrike.
“Sa i përket muajve në vijim, siç edhe e thashë, nuk dua të them se do të jenë të lehtë. Çfarë mund të them është që ne do të bëjmë maksimumin edhe për sigurinë e furnizimit, edhe për çdo aspekt tjetër, siç e kemi bërë deri më tani dhe siç jemi përballur me çdo krizë deri më tani”, tha Rizvanolli.

