Kryetarja e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ), Yllka Zuzaku-Mustafa, ka pranuar një mirënjohje në Kongresin e Shoqatës së Teknikëve të Radiologjisë së Kosovës, nga kryetari i kësaj shoqate, Mustaf Buzoku.
Lajmi është bërë i ditur nga Lidhja e Infermierëve Shqiptarë në Zvicër përmes një postimi në Facebook, ku është shprehur mirënjohje për vlerësimin, si dhe janë përgëzuar organizatorët për organizimin e kongresit, mikpritjen dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë, shkruan Telegrafi.
Në këtë postim, LISZ ka shprehur gjithashtu synimin që ky takim të shërbejë si pikënisje për bashkëpunim konkret ndërmjet dy shoqatave, përmes trajnimeve të përbashkëta dhe shkëmbimeve profesionale mes Kosovës dhe Zvicrës.
“Shpresojmë që ky takim të pasohet nga një bashkëpunim konkret mes dy shoqatave tona, me trajnime të përbashkëta dhe shkëmbime profesionale mes Kosovës dhe Zvicrës”, thuhet në postimin e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër.
Tutje, në postim theksohet rëndësia e krijimit të mundësive që profesionistët shëndetësorë në Kosovë të specializohen, duke u mbështetur në përvojën dhe standardet zvicerane të formimit profesional.
Kjo, sipas LISZ-it, përfshin jo vetëm radiologjinë, por edhe fusha të infermierisë si kujdesi për plagët, kujdesi paliativ, geriatria, kujdesi intensiv dhe infermieria e urgjencës.
“Me më shumë specialistë në këto fusha, pacientët në Kosovë mund të kenë më shumë qasje në kujdes të specializuar aty ku jetojnë”, thuhet në postimin e publikuar nga kjo lidhje./Telegrafi/
Postimi i plotë:

