Deputeti i PDK-së Arben Mustafa, gjatë debatit në Kuvend për sektorin e energjetikës, kritikoi Qeverinë për mungesë përgatitjesh për dimër dhe vonesa në projektet energjetike, teksa ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se BE-ja është përgjegjës për kontraktimin e kompanisë mbikëqyrëse.
Në vazhdim të seancës plenare, deputeti i PDK-së ka shprehur shqetësim për kthimin në operim të bllokut B1, pas paralajmërimeve se do të ketë vonesa në këtë drejtim.
Vonesa e kthimit në operim të B1, Mustafa: Kërkojmë përgjigje konkrete nga Qeveria
“Pas gjithë kësaj kohe zgjidhja jonë kryesore vazhdon të jetë krijimi i një taskforce tjetër, atëherë pyetja është: çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve për ta bërë Kosovën më të përgatitur për dimra të vështirë? Po hyjmë në periudhën e dimrit me rrezikun që një nga njësitë kryesore prodhuese të jetë jashtë funksionit. Sipas planifikimit, kthimi i B1-shit në operim ishte paraparë për datën 9 dhjetor 2026, dhe pyetja për ju, ministre, është: a do të kthehet B1-shi në funksion në këtë datë? Tashmë është paralajmëruar se nuk do të kthehet. Pas gati gjashtë vjetësh qeverisje, qeveria nuk mund më të vazhdojë të arsyetohet me trashëgiminë e së kaluarës, me tregjet ndërkombëtare apo me faktorë të jashtëm. Qeveria duhet sot të përgjigjet për rezultatet e veta. Prandaj sot nuk po kërkojmë arsyetime të tjera, por po kërkojmë përgjegjësi dhe përgjigje konkrete”, ka deklaruar Mustafa.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar procesin e financimit dhe mbikëqyrjes së projektit, duke theksuar se Bashkimi Evropian është përgjegjës për kontraktimin e kompanisë mbikëqyrëse.
Rizvanolli: Tarifat e energjisë në Kosovë mbeten më të lirat në rajon
“Tarifat që i cilësoni të papërballueshme vazhdojnë të mbesin më të lira në rajon, dukshëm më të lira sesa edhe vendet e rajonit. Prandaj, kur bëni cilësime të tilla, është mirë që të flasim edhe në terma objektivë. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në vitin 2018, ndërsa kontraktimi nga BE-ja është bërë në vitin 2019. BE, gjithashtu, është kontraktues i kompanisë mbikëqyrëse, e cila është zyrtarisht e thirrur dhe ka kompetencat për të mbikëqyrur në njërën anë cilësinë e punimeve, për të përcjellë punimet, dhe gjithashtu edhe për të bërë vlerësimet në rastin e atribuimit të vonesave dhe të problemeve në projekt”, ka deklaruar Rizvanolli./KP

