Një postim viral në X ka nxitur debat rreth sigurisë së fjalëkalimeve, pasi pretendohet se vendosja e një presjeje (,) në fjalëkalim mund t’i mbrojë përdoruesit në rast të rrjedhjes së të dhënave.
Postimi u publikua më 12 nëntor 2026 nga William Alves, i njohur në X si @lavemowill, i cili shkroi: “Vendosni gjithmonë një presje (,) në fjalëkalimet tuaja. Nëse ato përfundojnë ndonjëherë në një rrjedhje të dhënash, presja do ta prishë skedarin CSV”.
Ideja bazohet në mënyrën se si funksionojnë skedarët CSV (Comma-Separated Values), të cilët përdorin presje për të ndarë informacione si emrat e përdoruesve, adresat elektronike dhe fjalëkalimet.
Sipas këtij pretendimi, nëse një skedar me të dhëna të vjedhura nuk është formatuar siç duhet, presja brenda fjalëkalimit mund të ngatërrojë renditjen e informacioneve.
Postimi u bë viral, duke grumbulluar rreth 15 milionë shikime dhe 60 mijë pëlqime.
Edhe Grok, asistenti i Al në X, shpjegoi se kjo metodë mund të funksionojë në raste të caktuara, kur skedarët CSV nuk përdorin thonjëza për të dalluar fushat që përmbajnë presje.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se kjo nuk është një metodë e besueshme mbrojtjeje.
Skedarët CSV të formatuar siç duhet mund të përmbajnë presje brenda fjalëkalimeve pa shkaktuar probleme, ndërsa shumica e sistemeve moderne i përpunojnë këto të dhëna pa vështirësi.
Për më tepër, platformat që zbatojnë praktika të sigurta nuk i ruajnë fjalëkalimet si tekst të zakonshëm, por përdorin metoda kriptografike të njohura si hashing.
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e fjalëkalimeve të gjata dhe unike për secilën llogari, aktivizimin e autentifikimit me dy faktorë dhe përdorimin e aplikacioneve për menaxhimin e fjalëkalimeve.
Pra, një presje mund të jetë pjesë e një fjalëkalimi të fortë, por vetëm prania e saj nuk garanton mbrojtje nga hakerët. /Telegrafi/

