Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë.
Nga tetori i vitit 2021 deri në tetor të vitit 2026, shumë produkte të konsumit të përditshëm janë shtrenjtuar ndjeshëm, duke rënduar gjithnjë e më shumë buxhetet familjare, raporton lajmi.net.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të paraqitura në tabelën krahasuese për tetorin e vitit 2021 dhe tetorin e vitit 2026, rritja mesatare e çmimeve për artikujt e përfshirë në këtë krahasim arrin në 45%, raporton lajmi.net.
Në mesin e produkteve ushqimore që kanë shënuar rritjet më të mëdha janë domatet, specat, mishi i gjedhit dhe mishi i viçit, ndërsa shtrenjtimi ka prekur edhe bukën, miellin, qumështin, vezët dhe produktet e tjera të domosdoshme për familjet kosovare.
Për këtë situatë, në prononcime për lajmi.net, kanë folur profesori dhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, si dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa.
Të dy ekspertët e ekonomisë kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e rritjes së çmimeve në standardin e jetesës, dhe sipas tyre kjo po ndodh nga varësia e importit, prodhimi i pamjaftueshëm vendor dhe dobësimi i fuqisë blerëse të qytetarëve.
Profesori dhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se shqetësimi më i madh mbetet shtrenjtimi i produkteve që qytetarët i përdorin çdo ditë.
Sipas tij, çmimet kanë vazhduar të rriten edhe gjatë dy viteve të fundit, ndonëse ritmi i inflacionit mund të jetë ngadalësuar.
Kadriaj ka theksuar se Qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje stimulimit të prodhimit vendor dhe politikave tatimore që mund të ndikojnë në uljen e kostos së produkteve bazë.
“Për ne, shqetësimi më i madh është shporta e konsumit, për indikacionet e rritjes së çmimeve dhe, për fat të keq, nëse e bëjmë krahasimin brenda tri viteve, sidomos në dy vitet e fundit, ka një rritje shumë të lartë krahasuar edhe me vitin 2024. Edhe nëse bëhet krahasimi i vitit 2025–2026, ka sërish tendencë të rritjes, edhe pse inflacioni është në një ritëm më të ngadalshëm. Prapë, për fat të keq, ka ritëm të rritjes pozitive që çdo ditë e më shumë e rëndon jetën e qytetarëve. Produktet që janë shqetësim dhe me të cilat patjetër duhet të furnizohen qytetarët janë thjesht produktet e shportës së konsumit, duke filluar nga mishi, patatet, vezët dhe perimet, që në njëfarë mënyre janë produkte për konsum të përditshëm të qytetarit. Po flas në nivel të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm. Çfarë duhet të bëjmë në këtë drejtim? Duhet të ketë prodhim vendor, të stimulohet prodhimi vendor nga ana e Qeverisë përmes taksave dhe tatimeve”, u shpreh Kadriaj për lajmi.net.
Ai ka shtuar se institucionet duhet të shqyrtojnë edhe politikat fiskale për produktet e importuara, veçanërisht ato që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.
Sipas Kadriajt, ndërhyrjet administrative në çmime nuk janë zgjidhja e duhur, ndërsa lehtësirat fiskale për bizneset mund të ndikojnë që produktet të ofrohen me çmime më të përballueshme.
“Ndërkaq, nëse flasim në nivel të importit, në këtë drejtim duhet të përkrahet importi me lehtësime të taksave dhe, aty ku ka vend, edhe të shqyrtohet ndonjë akcizë për produktet që janë jetike për qytetarin dhe për lehtësimin e jetës së tij. Qeveria duhet ta ketë parasysh këtë, sepse ka disa produkte që janë me akcizë, përfshirë pjesën e higjienës, që është shumë jetike. Pavarësisht se cila qeveri është në pushtet, në ekonominë e tregut nuk duhet të ketë sjellje arbitrare apo vendosje të çmimeve tavan, siç është mësuar kjo qeveri të bëjë këso lloj fiskulturash ekonomike. Përkundrazi, duhet që përmes politikave fiskale të lehtësohet drejtpërdrejt jeta dhe të bërit biznes, në mënyrë që bizneset të reflektojnë me çmime më të përshtatshme për qytetarët”, tha profesori Mustafë Kadriaj.
Edhe njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se rritja e çmimeve ka vazhduar gjatë vitit 2026, si pasojë e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm.
Sipas tij, zhvillimet politike në vend, rritja e çmimeve të derivateve dhe konfliktet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në shtrenjtimin e produkteve bazë.
Bellaqa ka përmendur edhe të dhënat e ASK-së për inflacionin, duke thënë se në shtator rritja vjetore e çmimeve ishte 7.8%, ndërsa në tetor 7.1%.
“Rritja e çmimeve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026, si pasojë e rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Faktorët e brendshëm ishin shkuarja në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit, si dhe rritja e çmimeve të derivateve për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, rajon që përbën rreth 20% të eksportit në nivel ndërkombëtar. Kjo ka krijuar një rrethanë të jashtme që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe higjieno-sanitare, ku sipas ASK-së, në shtator është shënuar rritje prej 7.8%, ndërsa në tetor prej 7.1%, në krahasim me vitin paraprak”, tha Bellaqa për lajmi.net.
Ai ka theksuar se një nga problemet kryesore të ekonomisë së Kosovës mbetet varësia e madhe nga importi, gjë që, sipas tij, e bën tregun vendor më të ndjeshëm ndaj lëvizjeve të çmimeve ndërkombëtare.
Bellaqa vlerëson se Kosova është më shumë shoqëri konsumuese sesa prodhuese dhe se rritja e çmimeve po e zvogëlon fuqinë blerëse, pasi pagat nuk po arrijnë ta ndjekin inflacionin.
“Ndërsa, si faktor tjetër është importi shumë i madh, afër 80%, dhe ne jemi shoqëri më shumë konsumuese sesa prodhuese. Ne kemi çmime tregtare dhe jo çmime të prodhimeve apo çmime sipas kostos direkte. E gjithë kjo e rrezikon shportën e konsumatorit, e zvogëlon fuqinë blerëse dhe ndikon në indeksin e çmimeve. Pagat nuk mund ta ndjekin inflacionin, gjë që krijon jostabilitet ekonomik”, tha Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike, për lajmi.net.
Nga buka te mishi, shtrenjtimi prek produktet më të domosdoshme
Të dhënat krahasuese për periudhën 2021–2026 tregojnë se rritja e çmimeve nuk është kufizuar vetëm te disa produkte, por ka përfshirë një pjesë të madhe të artikujve që përdoren çdo ditë nga qytetarët.
Çmimi i mishit të viçit është rritur nga 7.66 euro në tetor të vitit 2021 në 13.27 euro në tetor të vitit 2026, apo 73%.
Edhe buka e bardhë ka shënuar shtrenjtim, nga 0.38 euro në 0.56 euro, që paraqet rritje prej 47%.
Ndërkohë, domatet kanë shënuar rritje prej 84%, nga 0.92 euro në 1.69 euro, ndërsa specat janë shtrenjtuar për 80%, nga 1.10 euro në 1.98 euro.
Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe mishi i pulës, qumështi, mielli, vezët dhe produktet e tjera të konsumit familjar.
Përderisa çmimet vazhdojnë të mbeten shqetësim për qytetarët, njohësit e ekonomisë kërkojnë politika më të qëndrueshme për mbështetjen e prodhimit vendor, lehtësimin e kostove për bizneset dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të familjeve.
Kurse sot ministri i Financave, Hekuran Murati është përballur me kritika në mbledhjen e komisionit për Buxhet lidhur me situatën ekonomike në vend.
Murati, ka thënë se është ‘’problem’’ rritja e kostos së jetesës në Kosovë, porse, kjo ka ndodhur për shkak të luftës në Ukrainë dhe bllokadës në Ngushticën e Hurmuzit.
“Sa i përket inflacionit, duhet të them që patjetër është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Dhe kjo ka kryesisht dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë e cila ndikoi në tronditje globale të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Dhe tash se fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në gjirin Persik, ku për shkak të bllokadës së ngushticës së Hurmuzit ka pasur një tronditje globale sa i përket furnizimit me derivate dhe energji. E kjo ndikon në valë të re të rritjes së çmimeve gjithandej botës. Është fenomen që ndodh në të gjitha shtetet e botës. Si qeveri çfarë jemi munduar të bëjmë është tu qëndrojmë qytetarëve afër.”, ka thënë ai./Lajmi.net/

