Jade Thirlwall u bë pjesë e mbrëmjes së yjeve në festën GQ Men of the Year, të mbajtur të enjten në Chateau Marmont, në Los Angeles.
Këngëtarja 33-vjeçare ishte ndër emrat britanikë që u shfaqën në tapetin e kuq, krahas modeles Cara Delevingne dhe prezantueses Amelia Dimoldenberg.
Jade u paraqit me një fustan të zi me supe të zbuluara dhe motive me pika. Ndërsa Amelia zgjodhi një fustan të zi pa rripa, me shkëlqim dhe dekolte të hapur, Cara u shfaq me një kostum të zi me prerje të lirshme, shkruan DailyMail.
Për Jade, kjo paraqitje vjen pas një periudhe të suksesshme në tregun amerikan. Kënga e saj “Angel Of My Dreams”, e publikuar dy vite më parë, u bë sërish virale pasi Kylie Jenner eci në pasarelën e Victoria’s Secret nën ritmet e saj.
Pamjet u shpërndanë gjerësisht në TikTok, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëgjimeve.
Sipas të dhënave të Spotify, kënga shënoi rritje prej 4,300 për qind të dëgjimeve në nivel global, ndërsa muzika e Jade-s pati një rritje prej 760 për qind.
Këngëtarja ka treguar se ende nuk e ka përvetësuar plotësisht këtë rikthim të papritur të këngës dhe se ka falënderuar Kylie-n, duke planifikuar t’i dërgojë një dhuratë asaj dhe ekipit të Victoria’s Secret.
Mbrëmja e GQ-së mblodhi edhe emra të njohur si Andrew Garfield, Matt Damon dhe Chris Rock, të cilët ishin prezantues të eventit. /Telegrafi/

