Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin shtator 2026, të cilat tregojnë rritje të aktivitetit në transportin ajror, por rënie të numrit të udhëtarëve në transportin hekurudhor.
Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë shtatorit janë realizuar 2 mijë e 548 fluturime, ose 6,5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Ndërkaq, numri i udhëtarëve në transportin ajror ka arritur në 393 mijë e 360, duke shënuar rritje prej 4,9 për qind në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.
Në anën tjetër, transporti hekurudhor ka shënuar rënie. Gjatë këtij muaji, numri i udhëtarëve që kanë përdorur trenat ishte 7 mijë e 167, ose 12,8 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2025. ASK-ja ka bërë të ditur se gjatë shtatorit nuk është transportuar asnjë sasi e mallrave përmes hekurudhave, transmeton Zeri.info.
Sa i përket telefonisë fikse, numri i përdoruesve ka arritur në 72 mijë e 905, duke shënuar rritje prej 7.1 për qind krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, trafiku i realizuar ka rënë për 12.2 për qind, në gjithsej 1 milion e 722 mijë e 676 minuta.
Në telefoninë mobile, numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) ishte 1 milion e 646 mijë e 103, që paraqet rënie prej 2.19 për qind krahasuar me shtatorin e vitit 2025.
Ndërsa numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) arriti në 325 mijë e 120, duke shënuar rritje prej 1,18 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Zëri

