Vetëm 17 vjeç, Lennart Karl po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen me paraqitjet e tij mbresëlënëse në fushë, por jo vetëm për shkak të talentit. Së fundmi, ylli i akademisë së Bayern Munich ka bërë bujë edhe me deklaratat rreth klubit të ëndrrave të tij.
Gjatë një vizite te një fan-klub, Karl u shpreh hapur për ambiciet e tij në të ardhmen.
“FC Bayern është një klub shumë i madh. Është një ëndërr të luash aty. Por në fund, patjetër që dua të shkoj te Real Madrid.”
Këto fjalë nuk kaluan pa u komentuar dhe u bënë temë diskutimi në media dhe rrjete sociale. Megjithatë, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, doli në mbrojtje të talentit të ri dhe foli me superlativa për të në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Wolfsburgut.
“Djali punon jashtëzakonisht shumë. Jo shumë 17-vjeçarë e bëjnë këtë. Ai ka shënuar disa gola shumë të bukur për ne në stërvitje, por mënyra se si punon në fazën mbrojtëse dhe si e ndihmon ekipin ka bërë që të marrë minuta loje me ne”.
Trajneri belg u ndal edhe te deklarata e Karl për Real Madridin, duke zbuluar se ajo ka qenë objekt shakash edhe brenda ekipit.
“Të gjithë kishin diçka për të thënë. Në Instagram, në TikTok, ju nga shtypi. Edhe djemtë në stërvitje e ngacmuan pak. Ishte qesharake”.
Megjithatë, Kompany vlerësoi mënyrën se si lojtari reagoi ndaj gjithë zhurmës mediatike, duke theksuar pjekurinë e tij për moshën që ka.
“Por më pëlqeu reagimi i tij. Ai u stërvit dhe luajti shumë, shumë mirë. Do të kisha folur me të nëse do të ishte stërvitur keq, por ndodhi e kundërta. Ai fokusohet te gjërat e duhura”, deklaroi ai./Telegrafi