KORREKT / SOT13 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Çfarë dihet deri më tani për ndërprerjen globale të Microsoft?

Çfarë dihet deri më tani për ndërprerjen globale të Microsoft?

Një ndërprerje e madhe globale në sistemet e Microsoft ka shkaktuar probleme në disa prej shërbimeve më të përdorura të kompanisë, duke përfshirë Outlook, Teams dhe produktet e inteligjencës artificiale, përfshirë Copilot.

Sipas faqes monitoruese Downdetector, raportimet për probleme me shërbimin e postës elektronike Outlook arritën në afro 140 mijë të enjten rreth orës 18:00 GMT.

Microsoft ka bërë të ditur se ndërprerja nuk është shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik, por nga një ngarkesë e lartë në infrastrukturën e saj, e cila ka ndikuar në funksionimin e serverëve.

Cilat shërbime janë prekur?

Problemet kanë përfshirë shërbimet e Microsoft 365, përfshirë Teams, Outlook dhe programin e inteligjencës artificiale Copilot.

Përdorues të shumtë kanë raportuar se nuk kanë mundur të dërgojnë apo pranojnë e-mail, të hapin dokumente të caktuara apo të shohin të dhënat në kalendarët e tyre.

Megjithatë, ndikimi nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë. Disa përdorues kanë vazhduar t'i shfrytëzojnë normalisht funksionet e komunikimit dhe takimeve online në Teams.

Sa persona janë prekur?

Shtrirja e plotë e ndërprerjes ende nuk është konfirmuar, por Downdetector ka regjistruar rreth 140 mijë raportime për probleme me Outlook nga 74 shtete.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Microsoft, më shumë se 430 milionë persona përdorin aplikacionet e Microsoft 365.

Ndërprerja ka pasur pasoja edhe për kompani të tjera teknologjike. OpenAI dhe Anthropic kanë raportuar probleme si pasojë e vështirësive në shërbimet e Microsoft.

Kompania OpenAI, e njohur për ChatGPT, ka bërë të ditur se po hetonte një problem që prekte lidhjet me shërbimet e Microsoft, duke bërë që disa prej mjeteve të saj të mos funksiononin siç pritej.

Ndikimi është raportuar edhe nga institucione shtetërore, përfshirë qeverinë e Singaporit dhe agjencinë e inteligjencës së Australisë.

Ndërkohë, disa ordinanca të mjekësisë familjare në Britani të Madhe kanë paralajmëruar për probleme të mundshme, duke u kërkuar pacientëve që kërkesat urgjente t'i paraqesin përmes telefonit dhe jo me e-mail apo formularëve online.

Çfarë shkaktoi ndërprerjen?

Microsoft ka përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik, duke ia atribuar problemin ngarkesës së lartë në infrastrukturën e saj.

Sipas kompanisë, një numër i madh serverësh u bënë papritur të padisponueshëm, duke bërë që trafiku të ridrejtohej te serverët e mbetur, të cilët për pasojë u mbingarkuan edhe më shumë.

Të premten në mëngjes, Microsoft njoftoi se kishte arritur vetëm një sukses të kufizuar në përpjekjet për rikthimin e shërbimeve.

Kompania bëri të ditur se po vazhdonte të monitoronte aktivitetin në rajone të ndryshme, për të vlerësuar gjendjen e serverëve dhe për të përcaktuar masat që mund të ndërmerren për rritjen e kapaciteteve.

Çfarë thonë ekspertët?

Eksperti australian i sigurisë kibernetike, Troy Hunt, ka paralajmëruar se ndërprerja mund të ketë pasoja të gjera.

Ai ka theksuar se Microsoft është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e infrastrukturës së internetit dhe se kjo situatë dëshmon se sa thelbësor mbetet komunikimi përmes postës elektronike.

Sipas tij, përveç pengesave në punë, ndërprerja ndikon edhe në komunikimin për termine, blerjet që kërkojnë verifikim dhe krijimin apo qasjen në llogari e shërbime të ndryshme.

Edhe Paul Spain, nga kompania këshilluese Gorilla Technology në Zelandën e Re, ka thënë se kompanitë praktikisht kanë humbur një ditë pune për shkak të mosfunksionimit të e-maileve dhe shërbimeve të tjera, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.