Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka goditur një sistem radarik amerikan të paralajmërimit të hershëm në Bahrein, në atë që e cilëson si kundërpërgjigje ndaj një sulmi ajror ndaj një kulle telekomunikacioni në jug të Iranit.
Sipas agjencisë iraniane Tasnim, sulmi ndaj objektivit amerikan është kryer nga forcat ajrore të Gardës Revolucionare, disa orë pasi qyteti portual Sirik, në provincën Hormozgan, ishte goditur nga ajo që autoritetet iraniane e përshkruan si zjarr armik.
Teherani e cilësoi operacionin si paralajmërim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar ndalimin e sulmeve ajrore dhe të veprimeve që Irani i konsideron provokime në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, pretendimi për shkatërrimin e radarit nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Deri më tani, as autoritetet amerikane dhe as ato të Bahreinit nuk kanë dhënë një reagim zyrtar, transmeton Klankosova.tv.
Bahreini është një pikë strategjike për praninë ushtarake amerikane në Gjirin Persik, pasi aty ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës së SHBA-së.

