Komuna e Drenasit ka siguruar shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror, përmes një kontrate që kap vlerën rreth 200 mijë euro.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, marrëveshja është lidhur për një periudhë prej 25 muajsh dhe përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në territorin e Komunës së Drenasit, me qëllim të përballimit të kushteve të vështira atmosferike gjatë dimrit.
Procedura është zhvilluar si tender i hapur, ndërsa kriteri i përzgjedhjes ka qenë çmimi më i ulët. Për këtë kontratë është pranuar vetëm një ofertë, raporton IndeksOnline.
Kontrata, e dhënë më 11 nëntor 2026, i është besuar grupit të operatorëve ekonomikë Arbotec SH.P.K. dhe N.N.SH. World Medium, me adresë në Prishtinë. Nënshkrimi i kontratës është bërë me 12 nëntor 2026.
Kontrata është e ndarë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Komunën e Drenasit dhe është paraparë të funksionojë si marrëveshje kornizë me një operator ekonomik. /IndeksOnline/

