Lista Studentore, e cila së fundmi fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, ka njoftuar se përfaqësuesit e saj kanë vizituar Kosovën, ku kanë qëndruar në Graçanicë, Deçan dhe Prizren. Gjatë vizitës, ata kanë diskutuar për pozitën e serbëve në Kosovë, sfidat me të cilat përballen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Lista Studentore ka bërë të ditur se përfaqësuesit e saj janë takuar me mitropolitin Teodosije dhe igumenin e Manastirit të Deçanit, arkimandritin Sava Janjiq.
Sipas tyre, gjatë takimeve është diskutuar për pozitën e qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Kosovë dhe nevojën për mbështetje institucionale.
“Qytetarët e Republikës së Serbisë që jetojnë në Kosovë kanë nevojë për siguri, mbështetje institucionale dhe zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen çdo ditë. Jeta dhe e ardhmja e tyre nuk duhet të varen nga interesat politike”, thuhet në deklaratën e Listës Studentore.
Ata kanë theksuar se vizita ishte edhe një mundësi për të rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore serbe.
“Bisedimet me mitropolitin Teodosije dhe atin Sava konfirmuan rëndësinë e ruajtjes së objekteve tona të shenjta, të Kishës Ortodokse Serbe dhe të identitetit kombëtar”, thuhet më tej në deklaratë.
Lista Studentore ka deklaruar gjithashtu se çështja e Kosovës nuk duhet të përdoret për përfitime politike.
“Për Listën Studentore, Kosova nuk është një parullë politike dhe as mjet për të mbledhur pikë politike. Kjo është çështje e historisë, identitetit, përgjegjësisë dhe, mbi të gjitha, e njerëzve”, kanë deklaruar ata.
Në fund, përfaqësuesit e kësaj liste kanë theksuar se siguria, të drejtat dhe jeta dinjitoze e qytetarëve serbë në Kosovë mbeten përgjegjësi e tyre.
“Vizita jonë nuk është fundi i diskutimeve për Kosovën, por konfirmim i detyrimit që zëri i qytetarëve që jetojnë atje të dëgjohet, që problemet e tyre të mos shpërfillen dhe që e ardhmja e tyre të mos bëhet kurrë objekt i pazareve politike”, thuhet në deklaratë.

