Kryeministri Rama nga Dublini foli edhe për ishullin e Sazanit si dhe marrëdhënien e tij me dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
I pyetur nga gazetarët për marrëdhënien e tij me Kushner, kryeministri shprehu se Kushner është një investor dhe se nuk ka personalisht marrëdhënie pune me këtë të fundit.
Më tej ai sqaroi se nuk ka ishull shqiptar që i është shitur dhëndrit të Trump, ndërsa shtoi se ishulli i Sazanit është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë.
Pjesë nga biseda:
Gazetari: A dini gjë për planet e Jared Kushner për sot?
Rama: Pse duhet ta di?
Gazetari: Tha që ndoshta do të vizitojë Dublinin sot?
Rama: E kuptoj, por pse më duhet të di unë diçka më shumë?
Gazetari: Për shkak të marrëdhënies së biznesit me të dhe je një lider europian.
Rama: Nuk kam asnjë marrëdhënie pune me Kushner, është një prej shumë investuesve që kanë treguar interes në vendin tonë, po ndodh një bisedë aktuale me grupin e tij, një grup me qëllime shumë të mira. Po t’ju pyesja çfarë dini për këtë, do më thonë që ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij apo jo? Kjo ju është thënë nga media globale, që është gënjeshtër, sepse ndërsa flasim nuk ka marrëveshje, sepse jemi në negociata prej 3 vitesh tashmë. Pra, nuk ka ishull të shitur, s’ka kërkesë për blerjen e tij, ishulli është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë dhe Shqipëria po kërkon të jetë aksionare në këtë investim. Kjo është e vërteta, por nuk ka shumë hapësirë për të vërtetën sot në median globale apo edhe atë lokale./KP

