KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Brovarone: Zhegrova është shqiptari më cilësor në Serie A, vlerëson edhe Rrahmanin, Ismajlin, Mitajn e porierin Muric

Brovarone: Zhegrova është shqiptari më cilësor në Serie A, vlerëson edhe Rrahmanin, Ismajlin, Mitajn e porierin Muric

Analisti dhe konsulenti i merkatos, Bernardo Brovarone, në një prononcim për GazetaBlic Sport, ka komentuar paraqitjet dhe potencialin e futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në futbollin italian, duke dhënë vlerësime për Edon Zhegrovën, Amir Rrahmanin, Ardian Ismajlin, Mario Mitajn, Arijanet Muriqin dhe Albion Rrahmanin.

Brovarone ka folur për cilësitë, formën aktuale dhe hapësirat që mund të kenë këta futbollistë në skuadrat e tyre, ndërsa nuk ka hezituar të veçojë edhe lojtarin që, sipas tij, ka më së shumti cilësi në këtë moment.

Sa i përket Edon Zhegrovës, ai beson se çështja lidhet kryesisht me përshtatjen taktike, duke theksuar se futbollisti kosovar ka cilësitë e duhura për të luajtur te Juventusi.

“Është më shumë çështje e skemës taktike, por ai vlerësohet shumë dhe tashmë ka dhënë sinjale të rëndësishme. Objektivi i tij duhet të jetë të gjejë vazhdimësinë në lojë. Është një lojtar i mirë dhe ka cilësitë për të luajtur te Juventusi”, u shpreh Brovarone për GazetaBlic Sport.

Për Amir Rrahmanin, mbrojtësin e Napolit, Brovarone vlerëson forcën fizike, karakterin dhe aftësitë në markim, ndonëse vëren një rënie të lehtë të formës gjatë këtij sezoni.

“Kur mbrojtja e Napolit funksiononte në mënyrë perfekte, ai dinte të përshtatej në mënyrë të shkëlqyer. Ka forcë, karakter dhe është shumë i mirë në markim. Megjithatë, këtë sezon edhe atë e shoh paksa në rënie të formës. Pavarësisht kësaj, mbetet një mbrojtës shumë i besueshëm”, deklaroi ai.

Vlerësime pozitive kishte edhe për Ardian Ismajlin, të cilin e konsideron një futbollist shumë të përkushtuar, duke kujtuar paraqitjet e tij te Empoli dhe vështirësitë që ka pasur te Torino, përfshirë edhe lëndimet.

“Te Empoli luante rolin e liderit absolut. Ishte shumë i mirë në duele dhe kishte gjithashtu lexime të mira mbrojtëse. Te Torino ende nuk e ka shfaqur të gjithë potencialin e tij, pjesërisht edhe për shkak të disa lëndimeve. Është një djalosh shumë i përkushtuar dhe me paraqitje të qëndrueshme. Kam shumë vlerësim për të”, theksoi Brovarone.

Ndërkohë, për Mario Mitajn, analisti italian kërkon durim, duke nënvizuar se futbollisti i ri ka cilësi të mira dhe se përshtatja me futbollin italian kërkon kohën e saj.

“Është i ri dhe ka cilësi shumë të mira. Pozicioni i tij është delikat dhe shumë i kërkuar. Nuk duhet të nxitohet, por të punojë fort. Jam i sigurt se gradualisht do ta gjejë hapësirën e tij. Ka shpejtësi shumë të mirë dhe një këmbë të shkëlqyer. Futbollit italian i duhet pak kohë për t’u ambientuar dhe përshtatur. Ai do ta bëjë këtë, jam i sigurt”, u shpreh ai.

Brovarone foli edhe për Aro Muric, duke u shprehur i habitur që portieri kosovar nuk po luan si titullar te Sassuolo. Ai kujtoi paraqitjet e mira të Muric sezonin e kaluar, por përmendi edhe disa mangësi të mundshme në lojën me këmbë.

“Ky djalosh ka bërë shumë mirë sezonin e kaluar. Në fillim pati disa gabime, por më pas arriti të gjejë një vazhdimësi shumë të mirë në paraqitjet e tij. Ka fizik të fuqishëm dhe personalitet të mirë. Sinqerisht, më ka habitur fakti që nuk e shoh titullar te Sassuolo. Ndoshta kjo ndodh për shkak se nuk është shumë i përsosur në lojën me këmbë”, deklaroi Brovarone.

Sa i përket Albion Rrahmanit, ai u tregua më i rezervuar, duke pranuar se nuk e njeh mjaftueshëm për të dhënë një vlerësim të plotë, por vlerësoi punën e drejtuesve të Venezias.

“E njoh shumë pak për të dhënë një gjykim rreth tij. Venezia ka një drejtor sportiv të aftë dhe largpamës. Nëse ai e ka vënë syrin te ky lojtar, me siguri ka parë cilësi dhe vlera tek ai, mbi të cilat mund të ndërtohet diçka. Le të presim.”

Në fund, Brovarone u pyet edhe se kush është futbollisti shqiptar me më së shumti cilësi në Serie A. Përgjigjja e tij ishte Edon Zhegrova, të cilin e sheh si lojtarin më të talentuar në këtë moment.

“Mendoj se Zhegrova, në këtë moment, është lojtari me më së shumti cilësi. Ende nuk i ka shfaqur ato plotësisht, por për nga niveli, mendoj se është më i miri”, përfundoi Bernardo Brovarone.

/GazetaBlic Sport/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.