Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin të Irlandës, ku është pritur nga kryeministri irlandez, Micheal Martin.
Në deklarimin e tij për media, Kurti ka falënderuar Martinin për ftesën dhe mikpritjen, ndërsa ka shprehur pritjet që Irlanda ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Dublin pas tre vjetësh e gjysmë. Dua të falënderoj Taoiseach-in (kryeministrin) Micheal Martin për ftesën dhe mikpritjen. Irlanda është rrëfim i shkëlqyeshëm suksesi i integrimit evropian dhe anëtarësimit. Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për popullin irlandez, i cili gjatë luftës së vitit 1999 kishte strehuar më shumë se një mijë refugjatë shqiptarë nga Kosova, të dëbuar nga forcat serbe.
“Duam të falënderojmë popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviqit dhe Jugosllavisë”, ka thënë ai.
Kurti ka falënderuar gjithashtu ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë për më shumë se dy dekada e gjysmë.
“Dua të falënderoj ushtarët dhe oficerët irlandezë, të cilët kanë shërbyer në KFOR përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit tim. Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokraci, prosperitet dhe sigurinë e përgjithshme”, ka theksuar Kurti./Klankosova.tv

