Kompania luksoze e lundrimeve Silversea ka hapur zyrtarisht hotelin The Cormorant at 55 South, me 150 dhoma, në Puerto Williams të Kilit, qytetin më jugor në botë.
Hoteli është projektuar për të shërbyer si pikënisje për programin e kompanisë që u mundëson udhëtarëve të vizitojnë Antarktidën me avion dhe anije turistike, transmeton Telegrafi.
Sipas Silversea-s, të gjithë pasagjerët që marrin pjesë në këtë ekspeditë do të mbërrijnë në Puerto Williams me fluturime çarter të kompanisë. Ata do të akomodohen në hotelin e ri përpara se të vazhdojnë udhëtimin drejt Antarktidës. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe gjatë kthimit.
“E hapëm The Cormorant at 55 South për ta bërë udhëtimin drejt Antarktidës më të lehtë dhe më të rehatshëm për mysafirët tanë. Tashmë ekspedita nis këtu, në një hotel të projektuar duke pasur parasysh Puerto Williamsin, me të njëjtin nivel shërbimi që klientët tanë presin në anijet tona”, deklaroi Bert Hernandez, president i Silversea-s.
Hoteli është ndërtuar duke përdorur teknologjinë modulare. Të 150 dhomat u prodhuan në Mendoza të Argjentinës dhe më pas u transportuan përmes vargmaleve të Andeve dhe Patagonisë deri në vendndodhjen e tyre përfundimtare.
The Cormorant at 55 South përfshin tri vepra të mëdha të artistëve kilianë, si dhe disa hapësira gastronomike dhe argëtimi.
Restoranti Latitude 55 ofron gatime të frymëzuara nga kuzhina kiliane, duke përdorur produkte rajonale dhe tradita lokale të përgatitjes së ushqimit. Menuja bazohet në përbërës që rriten, kultivohen apo gjenden në ujërat e kësaj zone.
Ndërkohë, Bar Sur shërben çajra dhe ushqime të lehta gjatë ditës, ndërsa lista e verërave përfshin produkte nga rajone të ndryshme të Kilit. Mysafirët mund të vizitojnë edhe Fireplace, një sallon me dritare të mëdha që ofrojnë pamje drejt peizazhit të Patagonisë.
Gjatë qëndrimit, vizitorët mund të zgjedhin aktivitete të ndryshme në natyrë, përfshirë lundrimin me kajak në ujërat e Kanalit Beagle dhe ecjet përgjatë shtigjeve bregdetare të Seno Lauta-s.
Një tjetër mundësi është eksplorimi i zonës me kuaj, ku turistët mund të vëzhgojnë edhe faunën lokale, përfshirë kormoranët, pulëbardhat dhe patat e zonave malore.
Hapja e këtij hoteli pasqyron zgjerimin e kompanive të lundrimeve përtej shërbimeve tradicionale në anije, duke krijuar edhe ambiente të veçanta në tokë për pasagjerët e tyre. /Telegrafi/

