Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka propozuar që ligji për Dhomat e Specializuara të miratohet gjatë ditës së sotme, ndërsa procesi i amendamentimit të nisë menjëherë të hënën.
Çitaku ka vlerësuar se votimi i dyfishtë brenda një nate në kuvend dëshmon pjekuri politike dhe unitet për çështje me rëndësi për vendin.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe kulturore, duke votuar dy herë brenda një nate dramatike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me atë votim dhe atë unitet kemi dëshmuar se ka çështje të mëdha që i tejkalojnë politikat e përditshme dhe që na bashkojnë. Pas kalimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, PDK-ja ka propozuar që ai të kthehet sërish në kuvend, pasi na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat besojmë se do ta bëjnë ligjin edhe më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht ndaj çfarëdo kontestimi të mundshëm në kuadër të standardeve evropiane”, ka deklaruar Çitaku./IndeksOnline/

