Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, ka komentuar situatën e kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran, si dhe pritshmëritë për ndeshjet ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
I ftuar në emisionin e FSHF-së, Lila e cilësoi punën e Maranit si një vazhdimësi të asaj të Sylvinhos, si në aspektin e mënyrës së lojës, ashtu edhe në përbërjen e stafit, shkruan Indeksonline
“Kombëtarja me trajnerin e ri Maran më duket një vazhdimësi e trajnerit Sylvinho, për sa i përket mënyrës së lojës, por edhe organigramës që është në përbërje”, u shpreh Lila.
Duke folur për ndeshjen ndaj Finlandës, ai theksoi se Shqipëria e kishte nisur mirë takimin, por kartoni i kuq i Etrit Berishës ndikoi në rrjedhën e lojës. Sipas tij, kuqezinjtë meritonin të merrnin të paktën një pikë.
“Ndeshja në Finlandë nisi mjaft mirë, por detajet bëjnë diferencën në futboll, siç ishte kartoni i kuq për Etrit Berishën. Shqipëria meritonte një barazim në Finlandë”, deklaroi ish-mbrojtësi.
Sa i përket sfidës ndaj Finlandës, Lila u shpreh optimist për mundësitë e Shqipërisë, duke vlerësuar se kundërshtari nuk është i një niveli të pakalueshëm. Ai vuri në dukje gjithashtu se Kombëtarja ka pasur shpesh paraqitje më të mira ndaj ekipeve të forta, ndërsa ndaj kundërshtarëve më të dobët ka shfaqur probleme me motivimin.
“Shqipëria më lehtë e ka pasur të luajë mirë ndaj skuadrave të nivelit të lartë, kurse kur luante me skuadrat e nivelit të ulët, motivimi nuk ishte”, theksoi Lila.
Për ish-futbollistin kuqezi, objektivi në këtë fazë duhet të jetë i qartë: vendi i parë. Ai nënvizoi se, pavarësisht paraqitjeve në fushë, në fund janë rezultatet ato që përcaktojnë suksesin.
“Meqenëse jemi në këtë lloj stadi, vendi i parë është detyrim. Sidomos për trajnerin. Futbolli matet me rezultate. Mund të bësh lojë të mirë, por rezultati është ajo që të çon”, u shpreh ai.
Lila foli edhe për zgjedhjet e Maranit, duke vlerësuar se trajneri italian po anon drejt futbollistëve me më shumë përvojë. Megjithatë, ai përshëndeti përfshirjen e lojtarëve nga kampionati shqiptar, duke e konsideruar këtë një vendim që rrit konkurrencën dhe motivimin e futbollistëve vendas.
“Mendoj se trajneri Maran ka preferuar lojtarë me eksperiencë. Ka lojtarë nga kampionati shqiptar dhe kjo më pëlqen, sepse u jep motivim futbollistëve që të punojnë”, tha Lila.
Në fund, ai e vlerësoi pozitivisht këtë qasje të Maranit, duke e krahasuar me periudhën e Sylvinhos, i cili, sipas tij, nuk u kishte dhënë hapësirë futbollistëve të kampionatit shqiptar.
“Trajneri Sylvinho nuk preferonte asnjë lojtar të kampionatit shqiptar, kurse ky Maran e meriton një notë plus”, përfundoi Andi Lila../Indeksonline/

