KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Baton Haxhiu dhe lufta që la pas rrëfime të pathëna

Baton Haxhiu dhe lufta që la pas rrëfime të pathëna

Gazetari dhe publicisti Baton Haxhiu ka promovuar të mërkurën në Prishtinë dy librat e tij më të rinj, “Kosova: Historia që zhbëri Jugosllavinë” dhe “Brenda luftës”, pas promovimit të tyre në Tiranë.

Në promovimin e mbajtur në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka”, i pranishëm ishte edhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me autorin, duke rikthyer në vëmendje ngjarje dhe përvoja nga lufta e fundit në Kosovë.

Përmes pyetjeve të Limajt dhe rrëfimeve të Haxhiut, bashkëbisedimi u përqendrua në disa prej momenteve të luftës, përfshirë histori që, sipas tyre, nuk ishin rrëfyer më parë publikisht.

Gjatë diskutimit, Limaj ngriti pyetje për ngjarje dhe zhvillime të caktuara të asaj periudhe, ndërsa Haxhiu ndau kujtime dhe përvoja personale, duke trajtuar njëkohësisht edhe disa nga temat e përfshira në dy librat e tij.

Të dy librat janë botuar nga UET PRESS, me botues Henri Çilin.

Fatmir Limaj dhe Baton Haxhiu

Libri i parë, “Kosova: Historia që Zhbëri Jugosllavinë”, trajton rolin që pati Kosova në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe mënyrën se si një vend i vogël u shndërrua në një nga çështjet më të rëndësishme politike në Ballkan.

Në këtë libër, Haxhiu i rikthehet vitit 1981, kur protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënuan një nga momentet e rëndësishme të kundërshtimit të sistemit jugosllav, pas vdekjes së Josip Broz Titos.

Përmes ngjarjeve të asaj periudhe, autori përpiqet të shpjegojë se si çështja e Kosovës, që për një kohë të gjatë ishte lënë në plan të dytë, u bë një nga faktorët që ndikuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Librat e Baton Haxhiut

Ndërkaq, libri i dytë, “Brenda Luftës: Kur ende nuk e dinim fundin”, përmban 34 rrëfime nga lufta e fundit në Kosovë, të treguara nga përvoja personale e Haxhiut.

Në këtë libër, ai sjell ngjarje, kujtime dhe përjetime nga një periudhë kur askush nuk e dinte se si do të përfundonte lufta.

Për Haxhiun, lufta nuk ishte vetëm një ngjarje për të cilën raportonte si gazetar, por edhe një përvojë e rëndë personale, që la gjurmë në jetën e tij.

Një nga ngjarjet që trajtohet në libër është edhe momenti kur gjatë luftës ishte raportuar se Haxhiu kishte vdekur, për t’u konfirmuar më vonë se ishte gjallë.

Përmes këtij dhe rrëfimeve të tjera, autori përshkruan frikën, pasigurinë dhe vendimet e vështira me të cilat përballeshin njerëzit gjatë luftës.

Ai ndalet gjithashtu te figurat politike dhe shoqërore të asaj kohe, si dhe te zhvillimet që çuan në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dy librat ndërthurin ngjarjet historike me përvojat personale të autorit. Përveç përshkrimit të zhvillimeve politike dhe ushtarake, Haxhiu sjell edhe kujtimet e tij si gazetar dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve që shënuan historinë e Kosovës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.