Kryeministri Albin Kurti është takuar të mërkurën me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin presidencial, Elysee.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë.
“Biseduam për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin tonë euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Kurti, raporton Klankosova.tv.
Ai tha të ketë shprehur edhe vlerësimin e tij për nismën e Presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
“Kjo çështje ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris këtë vit, ku Republika e Kosovës iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve për mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj”, shtoi kreu i qeverisë kosovare.
Kurti në fund u shpreh se “Kosova dhe Franca do të vazhdojnë të punojnë së bashku për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”. /Klankosova.tv

