KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Ebola në Kongo arrin mbi 11 mijë raste dhe 5 mijë viktima, shpërthimi më vdekjeprurës në historinë e vendit

Ebola në Kongo arrin mbi 11 mijë raste dhe 5 mijë viktima, shpërthimi më vdekjeprurës në historinë e vendit

Shpërthimi aktual i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është bërë më vdekjeprurësi në historinë e vendit, me 11 mijë e 42 raste të regjistruara dhe 5 mijë e 387 viktima. Pothuajse gjysma e personave të infektuar kanë humbur jetën, ndërsa përhapja e virusit po vështirësohet nga konfliktet e armatosura, kriza në sistemin shëndetësor dhe mosbesimi i komuniteteve ndaj autoriteteve shëndetësore.

Sipas të dhënave të fundit të qeverisë kongoleze, të publikuara të mërkurën, ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në vend dhe njëkohësisht ai me përhapjen më të shpejtë në historinë e Kongos, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.

Brenda vetëm 40 ditësh nga aktivizimi i përgjigjes shëndetësore, shpërthimi kishte kaluar 1 mijë raste të konfirmuara. Për krahasim, gjatë shpërthimit të vitit 2018, këtij pragu iu deshën rreth 235 ditë për t’u arritur.

Shpërthimi, i shpallur zyrtarisht në maj të këtij viti, vazhdon të përhapet, ndërsa autoritetet po përballen me vështirësi të shumta në kontrollimin e tij.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se konfliktet e armatosura në provincat Ituri dhe North Kivu po pengojnë qasjen e ekipeve mjekësore te pacientët. Situatën po e rëndojnë edhe pagat e papaguara dhe grevat e punonjësve shëndetësorë, të cilat kanë paralizuar disa institucione dhe pika të kontrollit shëndetësor.

Një tjetër pengesë është mosbesimi i komuniteteve ndaj autoriteteve shëndetësore. Sipas Ministrisë, përhapja e dezinformatave, refuzimi i kontrolleve shëndetësore dhe rezistenca ndaj varrimeve të sigurta po e vështirësojnë përpjekjen për të frenuar epideminë. Në disa raste, kjo situatë ka nxitur edhe sulme ndaj personelit dhe institucioneve shëndetësore.

Nuk ka vaksinë të miratuar për këtë lloj të virusit

Shpërthimi aktual shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim i miratuar.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) javën e kaluar mbështeti testimin e dy kandidatëve për vaksina, njëri i zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me Institutin e Serumit të Indisë dhe tjetri nga kompania Moderna.

Testimet do të udhëhiqen nga Instituti Kombëtar për Kërkime Biomjekësore i Republikës Demokratike të Kongos, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë OBSH-në.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka theksuar se vaksinat janë mjete të rëndësishme, por nuk mund t’i zëvendësojnë masat që shpëtojnë jetë, si trajtimi i hershëm, gjurmimi i kontakteve, izolimi, varrimet e sigurta dhe bashkëpunimi me komunitetet.

Shpërthimi më i madh i Ebolës në histori mbetet ai në Afrikën Perëndimore, gjatë viteve 2014–2016, kur u regjistruan rreth 28 mijë infektime dhe më shumë se 11 mijë viktima.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.