Aktorja e re kosovare, Pinea Matoshi, është ndër tri të nominuarat për çmimin “Young Actors Award 2026”, në kuadër të edicionit të 75-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani.
Një tjetër emër i ri po shënon praninë e kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare. Pinea Matoshi, e cila interpreton rolin kryesor në filmin “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, do të jetë pjesë e këtij festivali prestigjioz, ku është nominuar në kategorinë e aktorëve të rinj.
Nominimi i saj merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për debutimin e saj në aktrim. Përmes interpretimit në filmin “Dua”, Pinea ka arritur të tërheqë vëmendjen e jurisë së festivalit, duke u përzgjedhur mes tri talenteve të reja ndërkombëtare që garojnë për këtë çmim.
Filmi “Dua” sjell një histori të vendosur në Prishtinën e fundit të viteve ’90, duke trajtuar përmes syve të një vajze 13-vjeçare realitetin e vështirë të asaj kohe, frikën, pasigurinë, miqësinë dhe guximin përballë rrethanave të luftës.
Performanca e Pineas në këtë film përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik dhe një mundësi të veçantë për t’u prezantuar para profesionistëve të kinematografisë ndërkombëtare.
Çmimi “Young Actors Award” konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për talentet e reja në aktrim.
Pjesëmarrja e Pineas në festival është një moment krenarie jo vetëm për familjen e saj, por edhe për Kosovën, e cila vazhdon të prezantojë histori, artistë dhe talente të reja në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.
Përtej rezultatit të garës, nominimi i saj është një dëshmi se talenti i ri kosovar po gjen hapësirë dhe vlerësim në skenën evropiane të filmit.
Pinea Matoshi është një emër i ri që premton shumë për të ardhmen e kinematografisë kosovare.

