Portieri i Chelseat, Robert Sanchez, ka qenë protagonist i një aksidenti të rëndë automobilistik, pasi Ferrari i tij me vlerë rreth 300 mijë funte është përplasur me një barrierë.
Aksidenti ndodhi të hënën në pistën e famshme Nürburgring në Gjermani, gjatë një aktiviteti automobilistik të organizuar nga kompania Circuit Days.
Sipas dëshmitarëve, portieri spanjoll po lëvizte me rreth 113 kilometra në orë kur humbi kontrollin në kthesën Caracciola-Karussell dhe u përplas fuqishëm me barrierat mbrojtëse.
Pjesa e përparme e Ferrari 488 Challenge Evo u shkatërrua pothuajse plotësisht, ndërsa pjesët e makinës u shpërndanë në pistë.
Aktiviteti u ndërpre për rreth një orë, në mënyrë që të pastroheshin mbetjet dhe të riparoheshin barrierat. /Zëri

