Real Madridi po kalon një periudhë pozitive nën drejtimin e Jose Mourinhos, ndërsa portieri Thibaut Courtois beson se trajneri portugez ishte pikërisht personaliteti që i nevojitej skuadrës madrilene.
Mourinho u emërua trajner i Real Madridit gjatë verës, duke zëvendësuar Alvaro Arbeloan, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit në janar, pas shkarkimit të Xabi Alonsos.
Ky është edicioni i dytë i Mourinhos në stolin e Los Blancos, pasi ai e kishte drejtuar klubin edhe nga viti 2010 deri në vitin 2013.
Real Madridi aktualisht renditet në vendin e dytë në La Liga, me tri pikë më pak se Barcelona, kampione në fuqi për dy sezone radhazi, të cilën e mposhti në El Clasicon e muajit të kaluar.
Skuadra e Mourinhos ka fituar të gjitha ndeshjet që nga humbja ndaj Atletico Madridit më 20 shtator. Courtois beson se 63-vjeçari ishte zgjedhja e duhur për një ekip që kishte kaluar dy sezone jo të suksesshme.
“Ishte vërtet emocionuese ta kishim sërish në klub. Ai e mbush dhomën me praninë e tij. Kur hyn brenda dhe ai është aty, menjëherë e ndien praninë e tij. Mendoj se kjo ishte diçka për të cilën kishim nevojë”.
Portieri belg vlerësoi gjithashtu se Mourinho është bërë më i pjekur me kalimin e viteve, duke krahasuar karakterin e tij aktual me atë që kishte gjatë periudhës së mëparshme në Chelsea.
“Besoj se edhe ai vetë thotë se është bërë më i pjekur. Me përvojën që ka fituar, ndonjëherë është pak më i qetë. Te Chelsea e mbaj mend si dikë më të ashpër në zhveshtore, më intensiv. Edhe tani është i tillë, por mendoj se është pak më i qetë krahasuar me atë që mbaj mend para 12 vitesh. Megjithatë, personaliteti dhe prania e tij mbeten të njëjta”.
Mourinho tashmë ka regjistruar 97 fitore në La Liga si trajner i Real Madridit, duke përfshirë dy periudhat e tij në krye të klubit.
Vetëm tre trajnerë në historinë e madrilenëve kanë arritur të regjistrojnë të paktën 100 fitore në elitën e futbollit spanjoll.
Portugezi e ka udhëhequr Real Madridin në 126 ndeshje të La Ligës, me një përqindje fitoresh prej 77 për qind, shifra më e lartë për çdo trajner që ka drejtuar të paktën 100 ndeshje në këtë garë.
“Në fillim patëm dy humbje, por tani gjithçka po shkon mirë dhe shpresojmë ta vazhdojmë këtë ecuri”, përfundoi Courtois./Telegrafi/

