Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e GazetaBlic për arrestimin e dy personave nën dyshimin për mashtrim me fondet e komunitetit ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit dyshohet se kanë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro nga dy grante, vlera e përgjithshme e të cilave arrin në 575 mijë e 736 euro.
GazetaBlic raportoi më herët se dy personat e arrestuar janë Taulant Murati dhe Hasan Lahu, ndërsa Policia e Kosovës tashmë ka konfirmuar arrestimin e dy personave me inicialet T.M. dhe H.L.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë realizuar më 11 nëntor 2026, në vazhdën e hetimeve për një rast të datës 4 tetor 2026.
Njoftimi i plotë i PK-së:
Prishtinë, më 11 nëntor 2026
Në vazhdën e zhvillimit të hetimeve të rastit të datës 04.10.2026, sot më 11.11.2026, në cilësi të të dyshuarave janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Të dyshuarit janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar’. Dy të dyshuarit: H.L., dhe T.M., (meshkuj kosovarë), në cilësi të drejtorit të një kompanie, gjegjësisht tjetri si menaxher i saj, dyshohen që kanë pranuar dy grante në vlerë prej 575,736.00 €.
Granti i parë është fituar në vlerë prej 293,500.00 €. Dyshohet që nga shuma e përgjithshme e këtij garanti janë keqpërdorur 23,000.00 € duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi.
Granti i dytë është fituar në vlerë prej 282,236.00€, nga kjo shumë janë keqpërdorur 39,902.00€ duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi.
Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 € në tersi.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës dhe më pas, me urdhër të prokurorit të rastit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

