Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, i është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë debatit parlamentar për Raportin e Komisionit Evropian.
Lushaku-Sadriu ka kundërshtuar arsyetimin se qeveria në detyrë nuk ka pasur kompetenca të plota për të ndërmarrë reforma në fusha të caktuara, duke përmendur në veçanti sektorin e arsimit.
Ajo ka ngritur pyetjen se çfarë kompetencash shtesë i janë dashur Ministrisë së Arsimit për të harmonizuar kurrikulat me nevojat e tregut të punës dhe për të bërë riorganizimin e sistemit shkollor.
“Kush e ka ndaluar ministrin e Arsimit me i harmonizu kurrikulat me tregun e punës? Çfarë kompetenca duhen shtesë? Çfarë kompetenca i janë dashur Ministrisë së Arsimit për me bo riorganizimin e shkollave?”, ka deklaruar ajo.
Më tej, deputetja e LDK-së ka kundërshtuar edhe përpjekjet për t’ia atribuar krizës politike dhe zgjedhjeve përgjegjësinë për ngecjet e evidentuara në raportin e progresit.
Ajo ka përmendur gjithashtu kritikat e raportit lidhur me shpërndarjen lineare të parave në kohë zgjedhjesh, duke theksuar se këto çështje nuk duhet të anashkalohen gjatë debatit parlamentar.
Lushaku-Sadriu ka kërkuar që gjetjet e Komisionit Evropian të trajtohen me përgjegjësi dhe të mos përdoren arsyetimet politike për të shmangur përgjegjësinë institucionale. /Lajmi.net/

