Personeli i Policisë Ushtarake shumëkombëshe të KFOR-it ka zhvilluar një trajnim të përbashkët në kampin Bondsteel, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 10 shtete.
Sipas njoftimit të KFOR-it, aktiviteti kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e aftësive profesionale dhe përmirësimin e bashkëveprimit ndërmjet pjesëtarëve të Policisë Ushtarake.
Pjesëmarrësit janë trajnuar së bashku në skenarë të ndryshëm, duke shkëmbyer njohuri, ekspertizë dhe praktika të mira profesionale.
KFOR-i ka theksuar se karakteri shumëkombësh i aktivitetit u ka mundësuar pjesëmarrësve të mësojnë nga qasjet dhe përvojat e ndryshme, duke forcuar bashkëpunimin dhe kohezionin ekipor.
Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, trajnimet e vazhdueshme ndihmojnë në përmirësimin e koordinimit dhe gatishmërisë operacionale për reagim ndaj skenarëve të ndryshëm të sigurisë.
KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

