Anëtarët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere janë mbledhur sot për të miratuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Kosovës për vitin 2027.
Ky projektligj u votua me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Po ashtu, Komisioni ka miratuar edhe Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2025.
Ky raport u miratua me katër vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.
Por kjo nuk është çështja e vetme…
Një gjë tejet interesante ndodhi në këtë Komision, ku i pranishëm ishte një njeri që s’përkonte me deputetët.
Bëhet fjalë për “mërgimtarin” që ishte kapur me zyrtarin policor në Kuvend të Kosovës në kohën kur PDK-ja kërkonte nga Vetëvendosje ta thirrte seancën e të formoheshin institucionet.
Më saktësisht në gusht të vitit 2026, në Kuvendin e Kosovës ka pasur një incident dhe përplasje verbale e fizike ku është përfshirë një person i paraqitur si mërgimtar, por i cili është përplasur me mërgimtarë të tjerë dhe ka pasur tension me një zyrtar policor (pjesë e Mbrojtjes së Afërt).
Personi në fjalë që në Kuvend ishte paraqitur si mërgimtarë në ditën kur brenda kuvendit po realizoheshin vizita nga mërgimtarë të ndryshëm, ishte kapur me njërin prej policëve të Kosovës, duke i thënë se “Kujdes se nuk e din kush jam unë”.
Por ky është Hysni Beqiri nga fshati Baks, e që edhe sot në Komision siç duket e shoqëroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Beqiri është parë i ulur prapa ulëses së Mërgim Lushtakut pa pasur ndonjë arsye të veçantë, vetëm nëse i njëjti është emëruar asistent i deputetit Lushtaku, gjë e cila nuk dihet.
Por ishte vetëm Mërgim Lushtaku që pati mohuar se i njëjti ishte roje e tij. Ai thjesht kishte thënë se njihen, por duke mos saktësuar se çfarë lidhesh familjare apo miqësore kanë dyshja.
Përplasja që ky i fundit ka pasur me zyrtarin policor kishte nisur të hetohet fillimisht, por që më pas nuk dihet se si u mbyll si rast./Lajmi.net/





