KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Asllani: Diskriminimi vazhdon, shqetësuese braktisja e shkollimit nga fëmijët romë dhe ashkalinj

Asllani: Diskriminimi vazhdon, shqetësuese braktisja e shkollimit nga fëmijët romë dhe ashkalinj

Deputeti Artan Asllani, shef i Grupit Multietnik, ka ngritur shqetësimet për diskriminimin dhe zbatimin e kufizuar të strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, duke veçuar veçanërisht gjendjen në arsim.

Gjatë debatit parlamentar për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Asllani tha se zbatimi i strategjisë për avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve ka shënuar progres të kufizuar, ndërsa të dhënat për vazhdimin e shkollimit mbeten shqetësuese.

“Raporti i fundit konstaton se diskriminimi ndaj komuniteteve vazhdon të jetë ende i pranishëm në shoqëri dhe se zbatimi i strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali ka shënuar progres të kufizuar. Në arsim, shifrat janë shqetësuese. Sipas raportit, nga 100 nxënës të këtyre komuniteteve, 69 nuk arrijnë të vazhdojnë shkollimin ose e braktisin atë, për dallim nga niveli i përgjithshëm në vend, ku 87 për qind e nxënësve vazhdojnë shkollimin”, deklaroi Asllani.

Ai theksoi se ndër shqetësimet kryesore të raportit janë arsimi, punësimi, shëndetësia dhe diskriminimi, por u ndal veçanërisht te braktisja e shkollës, duke kundërshtuar paragjykimin se fëmijët e këtyre komuniteteve nuk kanë interes për arsimim.

“Ne shpesh i etiketojmë fëmijët e komuniteteve duke thënë se nuk e duan shkollën, por asnjëherë nuk përpiqemi ta imagjinojmë një fëmijë gjashtëvjeçar, i cili zgjohet në mëngjes plot gëzim, merr çantën që ia ka përgatitur nëna dhe niset për në shkollë me shumë ëndrra e dëshirë për të mësuar, për të ecur përpara dhe për t’u bërë dikush në jetë. Por, çfarë ndodh kur ai arrin në shkollë? Ndoshta shoku nuk ia zgjat dorën për të hyrë së bashku në rresht, ndoshta askush nuk dëshiron të ulet në bankë me të. Fatkeqësisht, ka raste kur edhe mësimdhënësit, në vend që t’i zbusin këto dallime, me veprimet apo mosveprimet e tyre vetëm sa i thellojnë ato”, u shpreh Asllani.

Deputeti theksoi se braktisja e shkollimit nuk duhet t’i atribuohet vetëm mungesës së vullnetit të fëmijëve, por duhet të trajtohet edhe në kontekstin e barrierave sociale, paragjykimeve dhe diskriminimit në mjediset shkollore.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.