Teherani dhe qytete të tjera iraniane janë përfshirë nga një situatë kaosi pas ditëve të fundit të protestave masive, të cilat filluan si kundërshti ndaj kushteve ekonomike të vështira, përfshirë rënien e monedhës kombëtare dhe rritjen e çmimeve të jetesës, por që sipas autoriteteve tani janë shndërruar në rebelim të armatosur.
Sipas raporteve të medias shtetërore, një turbe i një figurë fetare është djegur në qytetin e Dezfulit në provincën Huzestan, dhe janë shkatërruar dhjetëra automjete të shërbimeve të emergjencës, përfshirë automjete të zjarrfikësve që u sulmuan ndërsa përpiqeshin të shuanin flakët.
Autoritetet lokale raportojnë gjithashtu se janë sulmuar spitale, qendra mjekësore, banka, xhami dhe objekte policore për të krijuar një “situatë paqëndrueshmërie të plotë”.
Kryetari i Teheranit tha se protestuesit synuan të përhapnin kaosin në vend, duke shfrytëzuar zemërimin publik për situatën ekonomike. Si rezultat i këtyre akteve të dhunshme, dhjetëra automjete emergjente janë djegur dhe punonjës të shërbimeve janë sulmuar gjatë përpjekjeve për të ndihmuar.
Autoritetet iraniane kanë reaguar me forcë, duke njoftuar se forcat e sigurisë nuk do të tolerojnë “sabotues” dhe duke akuzuar përfshirjen e “agjentëve të huaj” në organizimin e dhunës. Sipas njoftimeve zyrtare, disa persona janë arrestuar, përfshirë të dyshuar për përpjekje për të fabrifikuar provokime dhe përhapur dezinformata përmes teknologjive të inteligjencës artificiale.
Protestat, që tani zgjasin për një periudhë të gjatë dhe kanë çuar në dhunë të përhapur në më shumë qytete, kanë shkaktuar edhe viktima midis forcave të rendit dhe civilëve. Sipas raporteve të pavarura, numri i personave të vrarë në këto protesta ka arritur dhjetëra, ndërsa mijëra të tjerë janë arrestuar dhe qeveria ka kufizuar qasjen në internet për të frenuar përhapjen e pamjeve dhe informacionit në kohë reale.
Ndërsa zyrtarët pranojnë se arsyet fillestare të protestave janë ekonomike, ata i atribuojnë përshkallëzimin e dhunës ndikimeve të huaja dhe përpjekjeve për destabilizim, duke theksuar se Irani do të mbrojë rendin dhe sigurinë në vend. /Telegrafi/