Mediumi i njohur ndërkombëtar “Goal” i ka kushtuar një shkrim të gjatë konkurrencës mes federatave për futbollistët me shtetësi të dyfishtë, duke përmendur disa herë edhe Kosovën.
Në artikullin e publikuar të mërkurën, “Goal” veçon punën e Federatës së Futbollit të Kosovës për identifikimin e talenteve të rinj në Gjermani.
Sipas mediumit, FFK-ja organizon rregullisht kampe vëzhgimi pranë Frankfurtit, me synimin për të zbuluar futbollistë me prejardhje kosovare dhe për të krijuar lidhje me ta.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Erblin Osmanit, mesfushorit të lindur në Munih dhe të zhvilluar në akademinë e Bayern Munichut, i cili së fundmi debutoi për Kosovën.
“Franco Foda e bindi Osmanin të ndërrojë përfaqësuese, duke e bërë atë lojtarin më të ri në historinë e Kombëtares së Kosovës”, shkruan “Goal”.
Mediumi thekson gjithashtu se Osmani është futbollisti i tretë më i ri në historinë e Bayern Munichut.
Ky raportim nxjerr në pah përpjekjet e Kosovës për të afruar talentet e diasporës dhe për të forcuar Kombëtaren me gjenerata të reja.

