Partia e majtë franceze La France Insoumise, e udhëhequr nga Jean-Luc Melenchon, ka dorëzuar një draft-rezolutë që synon të tërheqë Francën nga NATO.
Rezoluta, prezantuar nga deputetja Clémence Guette, nënkryetare e Asamblesë Kombëtare, kërkon një “tërheqje të planifikuar”, duke filluar me daljen e vendit nga komandimi i integruar ushtarak i aleancës.
Guette shpjegon se iniciativa është përgjigje ndaj politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara, sidomos gjatë administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Ajo akuzon SHBA-të për ndërhyrje në Venezuelë, mbështetje të dhunës dhe gjenocidit në Palestinë, kërcënim të Grenlandës dhe bombardime në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, raportojnë mediat.
Sipas Clemence Guette, Franca duhet të rishikojë rolin e saj brenda NATO-s dhe të forcojë pavarësinë e politikës së jashtme.
“Dalja nga komandimi i integruar ushtarak nuk do të thotë largim nga aleanca, por një rishikim i qartë i angazhimeve tona ushtarake”, tha ajo.
Draft-rezoluta ka shkaktuar debate të forta brenda politikës franceze. Mbështetësit e partisë e shohin si një hap drejt pavarësisë dhe drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa kritikët paralajmërojnë rreziqet për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.
Ky propozim mund të hapë një debat të ri mbi rolin e Francës në politikën globale dhe të vendosë pikëpyetje mbi të ardhmen e vendit brenda një nga aleancat më të fuqishme ushtarake në botë. /Telegrafi/