Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka komentuar deklaratat e ministrit Nenad Rashiq lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ajo ka bërë një deklaratë të çuditshme në lidhje më këtë çështje.
Ndonëse Rashiq është ministër i Qeverisë Kurti, ajo ka thënë se ai nuk e përfaqëson Qeverinë.
Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ajo ka thënë se VV-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Nëse Qeveria aktuale, e cila ka udhëhequr me vendin gjatë pesë vjetëve të fundit, do të kishte qenë e interesuar ta shtynte përpara çështjen e Asociacionit, besoni që tashmë do të kishim folur për raportin e pesë vjetëve të implementimit të Asociacionit dhe nuk do të kishim qenë në situatën se a është apo nuk është. E dini mjaft mirë cili është qëndrimi i VV-së për këtë çështje dhe çfarëdo lloj deklarate tjetër që bie në kundërshtim me të, nuk e përfaqëson qëndrimin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se pas fitores së Listës së Studentëve në Serbi Qeveria e Kosovës është më e gatshme për Asociacionin.
“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim”, ka thënë Rashiq.

