Partia Liberal-Demokrate vlerëson se një takim i liderëve ka kuptim vetëm nëse në të diskutohen reforma thelbësore, e jo, siç thonë ata, zgjidhje tregtare dhe PR.
PLD është e gatshme të marrë pjesë në një takim të tillë, por jo nëse ai reduktohet ekskluzivisht në çështjen e shfuqizimit ose mbajtjes së qeverisë teknike si temë e izoluar dhe boshe, pa përgjigje për pyetjet kyçe që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Është joserioze që politika të reduktohet në këtë: ‘ne jemi për shfuqizimin’ ose ‘ne jemi kundër shfuqizimit’ të qeverisë teknike. Dhe pastaj çfarë? Nëse shfuqizohet apo nëse nuk shfuqizohet?! A do të ushqehemi më lirë? A do të marrim frymë ajër më të pastër? A do të marrim më shumë mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian? A do ta zgjidhim më në fund korrupsionin? Nëse përgjigjja është jo – atëherë tema në vetvete është boshe. Pse disa ministri po vonohen me realizimin e agjendës reformuese? Deri ku ka arritur paketa e reformave sistemore që duhet ta çojë shtetin përpara? Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga deklaratat parciale dhe zgjidhjet ad-hok. Një qasje e tillë tregon se qytetarët nuk janë pikë interesi, por vetëm mjet për dominim mediatik”, thonë nga PLD.
Ata shtojnë se Maqedonisë nuk i duhen 120, por 90 deputetë. Maqedonisë nuk i duhen 25, por 15 ministri funksionale.
“Maqedonisë nuk i duhen grumbuj anëtarësh të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, as një ushtri zëvendësdrejtorësh. Maqedonisë i duhen më shumë para në xhepat e qytetarëve. Maqedonisë nuk i duhet qeveri teknike, por një sistem efikas, racional dhe i depolitizuar – një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe mundësi që qytetarët vetë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë”, thuhet në reagimin e partisë.