Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar partitë opozitare se qëndrojnë pas një pjese të protestuesve të radikalizuar, ndërsa ka deklaruar se protestat e fundit janë përshkallëzuar në dhunë.
Gjatë një diskutimi në Forumin e Paqes në Paris, Rama tha se protestat fillimisht kishin mbledhur qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, të cilët shprehnin shqetësime për çështje të ndryshme, përfshirë projektin e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas tij, më vonë kishte mbetur një numër i vogël protestuesish, të cilët kishin kaluar në veprime të dhunshme.
“Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë e përshkallëzuan në dhunë që sigurisht nuk është e pranueshme dhe që nuk ka të bëjë aspak e nuk ka të bëjë më me atë çfarë ishte protesta në fillim fare”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar pretendoi se në protesta janë përfshirë grupe me interesa dhe motive të ndryshme, duke përmendur opozitën, ndikimet e huaja dhe krimin e organizuar.
“Partitë të opozitës të mëdha apo të vogla, së fundi nuk fshihen dhe aq pas fëmijëve apo të rinjve të radikalizuar me këto iluzionet e Antifas”, u shpreh ai.
Rama pretendoi gjithashtu se në protesta kishte persona të sjellë dhe të paguar nga krimi i organizuar, pa paraqitur prova konkrete gjatë diskutimit.
Megjithatë, ai pranoi se një pjesë e qytetarëve kanë shqetësime legjitime për koston e jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas tij, qeveria po përpiqet t’u përgjigjet këtyre shqetësimeve përmes dialogut dhe masave të përfshira në buxhetin e ri, ndërsa institucionet e drejtësisë duhet të trajtojnë rastet e shkeljeve të ligjit.
Duke folur për ndikimin e protestave në procesin e integrimit evropian, Rama tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv i përbashkët i shqiptarëve, pavarësisht dallimeve politike.
“Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë”, deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria vazhdon të ketë mbështetje të lartë qytetare për integrimin evropian.

