Boksieri shqiptar Granit Shala po synon të shndërrohet në shpresën e radhës të Gjermanisë në kategorinë e peshave të rënda.
Kur Kabayel rikthehet në ring në Gjermani më 10 janar në “Oberhausen” pas gati tre vitesh mungesë, edhe Shala do të boksojë para rreth 13 mijë shikuesve, në eventin më të madh të boksit në Gjermani që nga fundi i epokës Klitschko.
Ndërsa talente të tjera të peshave të rënda e kanë lënë pa shpjegim këtë mundësi për t’u prezantuar para një audience kaq të madhe, boksieri nga Mynihu, me bilanc 18 fitore dhe një humbje, është i vendosur ta shfrytëzojë maksimalisht shansin e tij. Në “Oberhausen”, ai do të përballet me kroatin e fortë Peter Milas, i cili ka 19 fitore dhe një humbje në karrierë.
“Pa Agitin, një event i tillë nuk do të ishte fare i mundur në Gjermani. Kjo është mundësia perfekte për të treguar aftësitë e mia. Jam shumë mirënjohës për këtë shans dhe do të përpiqem të ndjek të njëjtën rrugë”.
Shala, i renditur aktualisht i 86-ti në botë, është tashmë pjesë e 100 boksierëve më të mirë të peshave të rënda. Një arritje që pak kush do ta kishte parashikuar gjatë fëmijërisë së tij. Ai ka treguar se rruga drejt ringut ka qenë gjithçka tjetër veçse e lehtë.
“Si fëmijë isha shumë mbipeshë, mbi 100 kilogramë që në moshën 9-vjeçare. Për këtë arsye më bullizonin në shkollë. Ishte një periudhë shumë e vështirë nga ana psikologjike”.
Granit Shala
Boksi i dha vetëbesim dhe motivim, por mbipesha i krijoi vështirësi edhe aty. Përvojat e para në gara nuk ishin aspak të lehta për të.
“Kur hyra për herë të parë në Kampionatin Gjerman, njerëzit qeshnin. As brezi nuk më dukej, sepse barku më varej mbi të”.
Megjithatë, pavarësisht paragjykimeve, Shala pati një karrierë të suksesshme amatore me rreth 80 ndeshje, duke u shpallur kampion i Gjermanisë gjashtë herë te të rinjtë dhe nënkampion në kategorinë e të rriturve.
Në vitin 2017, ai kaloi në boksin profesionist. Në atë kohë peshonte mbi 160 kilogramë dhe konsumonte litra çaji të ftohtë dhe kola. Me ndihmën e trajnerit të tij, Agron Kurtishi, Shala ndryshoi rrënjësisht stilin e jetesës, humbi mbi 50 kilogramë dhe nisi ngjitjen e vazhdueshme në renditje.
Në prill të vitit 2024, ai pësoi humbjen e parë në karrierën profesionale, në një duel për titullin prestigjioz evropian EBU ndaj Oleksandr Zakhozhyi. Një moment i vështirë, por vendimtar për pjekurinë e tij si sportist.
“Ishte një periudhë shumë e rëndë. Por më bëri më të fortë. Janë pikërisht këto momente që e formojnë një kampion”.
Pas kësaj humbjeje, Shala u rikthye fuqishëm, duke fituar tre ndeshjet e radhës, mes tyre edhe ndaj të pamposhturit Daniel Dietz. Tashmë, ai synon të vazhdojë ngjitjen në renditje me një fitore ndaj ndoshta kundërshtarit më të fortë të karrierës së tij, duke shpresuar se Oberhauseni do të jetë skena e hapit të radhës drejt majës./Telegrafi