Deklarata e kryeministrit Albin Kurti, se në Kosovë gjatë vitit 2025 janë kthyer nga diaspora 171 mjekë për të punuar në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta.
Ndonëse nga MSH u tha që fjala ka qenë për gjithë profesionistë shëndetësor e jo vetëm për mjekë, prapë se prapë, kundërargumentet po vazhdojnë të jenë ende temë diskutimi.
Sidoqoftë, në një bisedë për Telegrafin, për këtë cështje është pyetur edhe doktori gastrolog, Besnik Ismajli, i cili në vitin 2023 nga Gjermania u kthye në Kosovë për të punuar, kurse, tani mbanë konsulta me pacientë në të dyja shtetet.
Ai tha se ka kolegë të tij që janë kthyer në Kosovë, por, që nuk është e rëndësishme a kthehen përgjithmonë, apo, që mbajnë konsulta herë pas here me pacientë shqiptarë, pasi, të dy format janë me rëndësi për Kosovën.
“Nga rrethi im njoh disa kolegë që janë kthyer për të jetuar e punuar në Kosovë. Njoh edhe të tjerë që vazhdojnë të punojnë në Gjermani dhe vijnë rregullisht për t’u angazhuar këtu. Të dyja format kanë vlerë. Për numrin e përgjithshëm nuk kam të dhëna, ndaj mund të flas vetëm për rastet që njoh vetë” tha Ismajli.
I pyetur se a do t’i këshillonte kolegët e tij që jetojnë në shtetet e Evropës, që të kthehen në vendlindje që të punojnë, doktori dha përgjigje pozitive.
“Po, do t’i këshilloja të gjejnë një mënyrë për të kontribuar. Për dikë kjo mund të nënkuptojë kthim të përhershëm, për dikë tjetër angazhim të rregullt ose bashkëpunim me kolegët në Kosovë. Për mua, rëndësi ka që shkëmbimi i përvojës të bëhet në të dyja drejtimet. Kur ky bashkëpunim vazhdon me kohë dhe përfshin fusha të ndryshme të mjekësisë, mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e mënyrës si funksionon sistemi” theksoi doktori.
Po mjekët që janë në Kosovë, a i këshillon doktori Besnik Ismajli që të shkojnë në Evropë për ta zhvilluar karrierën atje?
“Do t’u thosha se ia vlen të shkojnë për të mësuar, për t’u specializuar dhe për të parë nga afër si punohet në një sistem tjetër. Unë vetë kam përfituar shumë nga kjo përvojë. Sa i përket jetës, secili i ka rrethanat e veta. Për mua personalisht, me gjithë mundësitë profesionale që kam pasur jashtë, jeta në Kosovë ka një vlerë që zor se e gjej diku tjetër. Nëse u jepet mundësia, do t’i inkurajoja ta ndajnë me kolegët këtu atë që kanë mësuar jashtë” përfundon gastrologu./Telegrafi/

