KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

“Akt dëshpërimi”, Lionel Messi merr kritika të rralla nga fituesi i Kupës së Botës

“Akt dëshpërimi”, Lionel Messi merr kritika të rralla nga fituesi i Kupës së Botës

Legjenda e Argjentinës, Jorge Valdano, ka kritikuar ashpër Lionel Messin për një veprim gjatë finales së Kupës së Botës 2026, të cilën “Albicelestët” e humbën ndaj Spanjës, duke mos arritur të bëhen kombëtarja e parë që fiton dy tituj radhazi pas 64 vjetësh.

Messi kishte zhvilluar një turne të jashtëzakonshëm në Amerikën e Veriut, duke shënuar gjashtë gola vetëm në fazën e grupeve, pavarësisht se gjatë garës festoi ditëlindjen e tij të 39-të.

Ylli argjentinas vazhdoi me gola edhe në fazën eliminatore, duke realizuar kundër Kepit të Gjelbër dhe Egjiptit, për ta çuar në tetë numrin e golave në këtë Botëror. Për një periudhë të shkurtër, ai ishte golashënuesi më i mirë në historinë e turneut, para se Kylian Mbappe ta kalonte.

Megjithatë, finalja ndaj Spanjës rezultoi shumë e vështirë për kampionët në fuqi. Argjentinasit u shfaqën gjithnjë e më të frustruar, ndërsa Enzo Fernandez u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë të kohës së rregullt.

Pas përfundimit të ndeshjes, reagimi i lojtarëve argjentinas shkaktoi polemika, pasi disa prej tyre ia kthyen shpinën Spanjës gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut.

Edhe Messi u përfshi në një episod të diskutueshëm, duke kërkuar nga gjyqtari Slavko Vincic që të ndëshkonte mbrojtësin spanjoll Marc Cucurella, pasi ky i fundit për një moment vendosi dorën pranë gojës gjatë një shkëmbimi mes lojtarëve.

Kapiteni argjentinas tentoi të përfitonte nga një rregull i ri i vendosur para fillimit të Botërorit, i cili ndalon futbollistët të mbulojnë gojën gjatë konfrontimeve me kundërshtarët.

Megjithatë, rasti i Cucurellas ishte ndryshe, pasi nuk bëhej fjalë për një përballje të drejtpërdrejtë dhe gjesti i tij nuk zgjati aq sa të fshihte atë që po thoshte.

Pikërisht këtë veprim e ka kritikuar Jorge Valdano, kampion bote me Argjentinën në vitin 1986, i cili në një intervistë për gazetën El Pais e cilësoi atë si shenjë dëshpërimi nga ana e Messit.

“Ishte një gjest dëshpërimi – një pranim i inferioritetit në një finale ku diferenca mes dy skuadrave ishte shumë më e madhe sesa jemi mësuar të shohim”.

“Argjentina po vuante pasojat fizike dhe emocionale të ndeshjes së mëparshme kundër Anglisë”.

Valdano rikujtoi se Argjentina kishte luajtur gjysmëfinalen 24 orë më vonë se Spanja, ndërsa në fazat paraprake kishte kaluar nëpër disa ndeshje shumë të vështira, përfshirë dy takime që kishin shkuar në vazhdime dhe një përmbysje prej dy golash ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales.

Sipas tij, këta faktorë ndikuan që argjentinasit të mos kishin të njëjtin intensitet si në ndeshjet e mëparshme.

“Atyre u munguan energjia dhe vrulli që kishin treguar deri në atë pikë, ndërsa Spanja e menaxhoi ndeshjen në mënyrë të përkryer nga çdo aspekt – taktik dhe moral, nëse mund t’i japim futbollit edhe një dimension etik. Spanja nuk ra në asnjë prej kurtheve”, përfundoi Valdano./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.