KORREKT / SOT10 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Testi i parë i demokracisë do të jetë njohja e Kosovës”, Kurti flet për Listën Studentore që mposhti Vuçiqin

“Testi i parë i demokracisë do të jetë njohja e Kosovës”, Kurti flet për Listën Studentore që mposhti Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë testi themelor për demokracinë në Serbi, duke shprehur shpresën se pushteti i ri në Beograd do ta pranojë realitetin dhe do të angazhohet për marrëdhënie të normalizuara me Kosovën.

Në një intervistë për Radio France Internationale (RFI), kryeministri Albin Kurti ka folur për ndryshimin e pushtetit në Serbi dhe pritjet nga Lista Studentore, e cila doli e para në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kurti ka thënë se, ndonëse dihet se kush i humbi zgjedhjet, ende nuk është e qartë se cilat janë orientimet politike të fituesve, pasi brenda Listës Studentore ka qëndrime të ndryshme. Ai ka shtuar se pozicioni i tyre ndaj Kosovës do të bëhet më i qartë pas formimit të qeverisë së re.

“Serbia sapo ka përjetuar një ndryshim dhe ne e dimë saktësisht se kush i humbi këto zgjedhje. Ishte Aleksandar Vuçiq, i cili ishte autokrat dhe ministër i Sllobodan Millosheviqit.

Megjithatë, nuk e dimë saktësisht se kush i fitoi zgjedhjet, sepse brenda Listës Studentore që doli e para ka shumë orientime dhe qëndrime të ndryshme politike.

Sigurisht, do ta kemi më të qartë situatën kur ata ta formojnë qeverinë. Por shpresoj që ata ta pranojnë realitetin dhe të vërtetën. Ta njohin Kosovën dhe ta kuptojnë se nuk ka kthim prapa dhe se ecja përpara nënkupton anëtarësimin në Bashkimin Evropian“, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë treguesi kryesor i orientimit demokratik të Serbisë, duke shtuar se shtetet demokratike nuk mbeten në konflikt të përhershëm, por i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

“Besoj se është pikërisht njohja e pavarësisë së Kosovës ajo që do të jetë testi themelor i demokracisë në Serbi. Një Serbi demokratike do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ne e dimë nga historia dhe përvoja se demokracitë nuk janë përgjithmonë në konflikt me njëra-tjetrën, por bashkëpunojnë përmes dialogut, në interesin e tyre të përbashkët”, ka thënë Kurti.

Gjatë intervistës, kryeministri ka folur edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se vendi ka pritur që ky proces të përparojë më shpejt.

Ai ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka theksuar se Kosova ende nuk e ka marrë statusin zyrtar të vendit kandidat.

“Jemi i vetmi vend ndër kandidatët që nuk e ka statusin zyrtar të kandidatit. Dëshirojmë që negociatat të hapen sa më shpejt, për t’i përshpejtuar reformat në vendin tonë. Jo vetëm për të përfituar nga Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha për të kontribuar në të”, ka thënë Kurti.

Ai ka vlerësuar se Kosova ka shënuar rezultate në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në transparencën institucionale.

“Në Ballkanin Perëndimor, Kosova renditet në vendin e parë ose të dytë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe krijimit të institucioneve transparente. Ndërsa, sa i përket përparimit ekonomik, kemi arritur rritje prej 4 për qind për disa vite me radhë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar nga Bashkimi Evropian, por njohjen e përparimit të arritur dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.

Në intervistë, ai është pyetur edhe për shqetësimet e Kombeve të Bashkuara lidhur me tensionet në veri të Kosovës dhe sigurinë e komunitetit serb.

Kurti ka deklaruar se tensionet kanë qenë më të shumta në të kaluarën dhe se, sipas tij, ato kanë ardhur duke u zvogëluar.

“Nuk ka më tensione të shkaktuara nga serbët në Kosovë. Ato mund të nxiten nga elementë të shtetit serb që janë të pranishëm në Kosovë, por kjo ndodh gjithnjë e më rrallë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për ruajtjen e karakterit shumëetnik të shoqërisë dhe zbatimin e barabartë të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët.

Kurti ka folur edhe për periudhën e jostabilitetit politik në Kosovë, duke rikujtuar se vendi ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë.

Sipas tij, pas zgjedhjeve të fundit janë konstituuar Kuvendi, është formuar Qeveria dhe është zgjedhur presidentja, duke i dhënë fund bllokadës institucionale.

“Paparashikueshmëria në Kosovë ka përfunduar. Kjo ka marrë fund. Kemi stabilitet të plotë institucional për katër vjet”, ka deklaruar Kurti.

Hap videon në burimin e saj ↗
Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.