Profesori irlandez, Aidan Hehir ka komentuar zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara dhe proceset gjyqësore ndaj krerëve të UÇK-së.
Duke analizuar themelimin dhe funksionimin e këtij institucioni, Hehir në intervistë për Vox Kosova e ka cilësuar atë si një gjykatë thellësisht politike, e cila sipas tij nuk mund të ndahet nga konteksti politik që e solli në jetë.
Sipas profesorit Hehir, vendimi i gjykatës ishte i paracaktuar për shkak të investimit të madh institucional në mbështetje të një narrative të caktuar: “Kjo gjykatë nuk do të ishte krijuar po të mos kishin ekzistuar interesa politike që donin të mbështesnin një narrativë të caktuar për luftën”, duke shtuar se shpallja e pafajsisë për të akuzuarit ka qenë e pamundur nga një pikëpamje thjesht politike.
Duke iu referuar pasojave të këtij procesi në rrafshin ndërkombëtar, Hehir vuri në dukje se opinioni i gjerë në Evropë dhe botë e ka të vështirë të bëjë dallimin mes individëve dhe luftës çlirimtare në tërësi: “Njerëzit e zakonshëm në Evropë dhe në botë nuk do t’i ndajnë individët nga komuniteti më i gjerë prej nga vijnë… ata thjesht do ta shohin UÇK-në si një ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç thuhet në dokumentet e vetë gjykatës”.
Lidhur me karakterin organizativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hehir theksoi se ajo nuk ka qenë një ushtri e centralizuar me një strukturë të ngurtë hierarkike të krahasueshme me forcat e rregullta shtetërore, por një organizatë e përbërë kryesisht nga njësi relativisht autonome në rajone të ndryshme të Kosovës. Për këtë arsye, ai vlerëson se përdorimi i konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” shërben për t’i dhënë përmasa të ekzagjeruara dhe të shtrembëruara strukturës dhe qëllimeve të organizatës gjatë luftës.
Sa i përket pritshmërive nga shkalla e apelit, Hehir u shpreh skeptik për ndryshime thelbësore, duke përsëritur se pavarësisht uljeve të mundshme të dënimeve me disa vite, ai nuk pret një përmbysje të vendimit apo shpallje të pafajsisë për të akuzuarit.
“Kjo është gjykata më politike me të cilën jam njohur… në terma të një trupi gjyqësor ndërkombëtar, kjo është më me bollëk politike që kam ndeshur ndonjëherë.”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se nuk beson në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ata sigurisht që nuk do t’i shpallin katër ish-krerët të pafajshëm tani… pasi kanë vendosur kaq shumë kohë, para dhe energji në krijimin e kësaj gjykate dhe mbajtjen e saj për kaq shumë kohë, thjesht nuk kishte asnjë kuptim për mua që ata të shpalleshin të pafajshëm.”, u shpreh ai./lajmi.net/

