Me afrimin e sezonit të dimrit, institucionet e sektorit të energjisë në Kosovë kanë nisur koordinimin për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe për të shmangur rreziqet gjatë periudhës së konsumit të lartë.
Në Ministrinë e Ekonomisë është mbajtur takimi i parë i Task-Forcës Ndërinstitucionale për sezonin dimëror 2026/2027, ku janë diskutuar gjendja e sektorit, bilanci energjetik, kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e pritshme për energji.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, KEK-ut, ZRrE-së, KEDS-it, KESCO-s dhe KOSTT-it.
KOSTT ka bërë të ditur se ka rritur kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MW, ndërsa me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për nga 100 MW. Po ashtu, është duke u koordinuar me KEDS-in për identifikimin e pikave të ngushta në rrjet gjatë periudhave me ngarkesë të lartë.
Në anën tjetër, KEDS ka njoftuar se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtje dhe intervenime në rrjet, ndërsa ka përfunduar edhe riparime në disa nënstacione.
KESCO ka bërë të ditur se po ndërmerr masa për sigurimin e kapaciteteve dhe energjisë elektrike shtesë, me qëllim të rritjes së sigurisë së furnizimit gjatë muajit dhjetor.
Ndërkohë, KEK-u synon të operojë me kapacitetet aktualisht në dispozicion, përfshirë tri blloqet e Termocentralit “Kosova A” dhe bllokun B2 të “Kosova B”.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit i është kushtuar edhe bllokut B1 të “Kosova B”, ku po zhvillohen punimet për vendosjen e sistemit të elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të financuara dhe kontraktuara nga Bashkimi Evropian.
Afati kontraktual për përfundimin e punimeve është 25 nëntori, por KEK-u ka njoftuar se kontraktori ka paralajmëruar vonesa. Për këtë arsye, Task-Forca do të mbajë një takim tjetër gjatë kësaj jave, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Task-Forca pritet të vazhdojë koordinimin gjatë gjithë sezonit dimëror, me fokus në identifikimin me kohë të sfidave, vlerësimin e rreziqeve dhe marrjen e masave për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike. /IndeksOnline/

