Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese, përmes dy aktgjykimeve, ka rrëzuar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara në seancën e Kuvendit të mbajtur më 5 dhjetor 2024, përfshirë edhe Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas Cakollit, asnjë nga këto ligje nuk është shpallur antikushtetues për shkak të përmbajtjes së tyre. Ai ka theksuar se Gjykata nuk është marrë fare me substancën e ligjeve, por i ka rrëzuar ato për shkak të shkeljeve serioze procedurale gjatë miratimit, të cilat kanë cenuar thelbin e funksionimit parlamentar.
Ai ka bërë të ditur se, në disa raste, komisionet parlamentare kanë qenë të obliguara të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda afateve prej vetëm 5 deri në 20 minutash. Për ligje të tjera, materialet për shqyrtim u janë shpërndarë deputetëve pas kohës së paraparë për fillimin e seancës plenare.
Cakolli ka theksuar se në rastin konkret të Ligjit për Byronë, dokumentet përkatëse u janë dërguar deputetëve rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës, duke e bërë të pamundur një shqyrtim real parlamentar.
Sipas tij, me afate të tilla deputetët nuk kanë pasur kohë reale për lexim, debat apo vlerësim të ligjeve, çka ka bërë që roli i tyre të reduktohet në votim formal. Ai ka vlerësuar se një vit me përqindje rekord të ligjeve të miratuara nuk mund të konsiderohet sukses, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare.
Ai ka theksuar se rëndësia kryesore e këtyre aktgjykimeve qëndron në vendosjen e një standardi të qartë se procedurat parlamentare duhet të respektohen në plotni, përveç rasteve vërtet emergjente.
Ai ka paralajmëruar se miratimi i dhjetëra ligjeve brenda një seance të vetme cenon parlamentarizmin, cilësinë e ligjeve dhe mandatin e deputetëve, duke theksuar se deputetët janë ligjvënës e jo “makineri votimi”./Telegrafi/